“Trillim” i ka quajtur kryedemokrati Lulzim Basha akuzat e bëra nga ish-kryeministri Sali Berisha i cili tha se kryeminstri Edi Rama e mban peng me çështjen e “Toyota Yaris”. Përmes një postimi në rrjete sociale Basha shkruan se ndjen keqardhje që sipas tij Berishën ka rënë poshtë me trillimet dhe sulmet që bën. Këto sulme, Basha shton se sipas tij janë identike si të kundërshtarit, referuar këtu kryeministri Edi Rama.
“Çfarë keqardhje ta shohësh Sali Berishën të bjerë poshtë e më poshtë çdo ditë me trillimet dhe sulmet identike si të kundërshtarit. Ajo që deklaroi Sali Berisha sot është ekzaktësisht ajo për të cilën më akuzoi Edi Rama javën e kaluar. Përgjigjja ime ndaj Sali Berishës është e njëjta që i dhashë Edi Ramës”.
Sipas Bashës asnjë trillim nuk do ta shndërrojë PD në mburojë të interesave personale.
“Asnjë trillim nuk do ta shndërrojë PD në mburojë të interesave personale”, shkruan Basha.
Nga “Foltorja” me demokratët e Burrelit, ish-kryeministri Sali Berisha i kërkoi Lulzim Bashës të japë dorëheqjen, pasi sipas tij është i përfshirë në dosjen e “Toyota Yarisit”. Berisha tha se Basha po mbahet peng nga kryeministri Rama me këtë aferë, ndaj e ftoi të sqarojë demokratët nëse ka ndarë para me kreun e grupit parlamentar të socialistëve, Taulant Balla.