Të rinjtë e Akademisë së Politikave Progresive të Ballkanit në Tiranë, Veliaj: “‘Ballkani i hapur’, një projekt më i afërt nëse përqafohet edhe nga të rinjtë”
Të rinj nga i gjithë Ballkani, pjesë e forcave politike të majta, kanë përmbyllur në Tiranë modulin e këtij viti të Akademisë së Politikave Progresive në Ballkanin Perëndimor. Në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave për të rinjtë pjesëmarrës së kësaj Akademie, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se forume të tilla janë një mundësi fantastike për të folur me të rinj aktivistë të partive të majta nga të 6 vendet e Ballkanit.
“Vitin tjetër Tirana do të jetë “Kryeqyteti Europian i Rinisë” me mbi një mijë aktivitete kulturore dhe sportive, por ka një hapësirë edhe për të rinj që janë të angazhuar në politikë. Unë besoj se “Ballkani i hapur” është një projekt edhe më i afërt, nëse edhe të rinjtë e kapin thelbin që tani. Nëse bashkëpunimi mes të rinjve të 6 vendeve fillon tani, atëherë kemi prodhuar një gjeneratë politikanësh të cilët nuk kanë nevojë të njihen kur të bëhen 40-50 vjeç. Jam shumë entuziast për këtë nismë! I falenderoj shumë kolegët e Fondacionit “Qemal Stafa” dhe Fondacionit “Olof Palme”, miqtë tanë nga Suedia, sepse besoj se vetëm politikat progresive mund ta çojnë Ballkanin përpara, jo politikat nacionaliste të bazuara tek urrejtja, tek inati për tjetrin, te rikthimi dhe stër rikthimi i historisë, pasi janë të padobishme. Nuk mund të kemi një gjeneratë tjetër që rritet me hesapet e së kaluarës, por duhet të kemi një gjeneratë që rritet me ëndrrat e të ardhmes dhe sot është një moment që si Ballkan të ëndërrojmë, por edhe të projektojmë të ardhmen tonë,” u shpreh kryebashkiaku Veliaj.
Ai gjithashtu nënvizoi faktin që vitin tjetër Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe kjo është një ftesë e hapur edhe për të rinjtë e angazhuar në politikë. Barazia gjinore, beteja e përbashkët globale për mjedisin, lufta kundër dezinformimit dhe lajmeve të rreme, bashkëpunimi rajonal dhe politikat sociale ishin disa nga temat e diskutuara me të rinjtë e Akademisë ProgWeb