Qendra Komunitare në Shkozë, e amortizuar ndër vite dhe e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, është transformuar në një qendër bashkëkohore, me kushte moderne dhe hapësira të bollshme, për të paktën 500 familje në nevojë, të cilave iu shërben çdo vit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kjo qendër komunitare, ndërsa theksoi se “mbështetja do të vijojë të jetë në çdo ditë të punës sonë”.
“Mirëmëngjes dhe me punën që kemi bërë për transformimin e Qendrës Komunitare në Shkozë, duke e kthyer në një mjedis krejt të ri për njerëzit në nevojë, duke i shërbyer çdo ditë mbi 500 familjeve dhe fëmijëve me aftësi të veçanta, për të cilët mbështetja do të vijojë të jetë në çdo ditë të punës tonë, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.
Rehabilitimi i Qendrës Komunitare Shkozë u mundësua falë marrëveshjes së Donacionit të Grand Circle Foundation lidhur me bashkinë Tiranë. Po ashtu edhe Credins Bank i është bashkuar projektit, duke mbështetur me donacionin e tyre kompletimin e ambienteve të brendshme.