Niveli i lumit Vjosa është 6.10 metra mbi nivelin e detit këtë mëngjes, ndërkohë që një natë më parë arrti në kuotat 6.70.
Pika kritike kur jepet alarmi është 7.30 metra mbi nivelin e detit. Prurjet e Vjosës, të hënën shkaktuan përmbytje në tregun e gjësë së gjallë poshtë urës së Mifolit, por pa problem për banorët e njësisë administrative Novoselë.
Ndërsa reshje dëbore ka patur në Llogora gjatë orëve të natës. Temperaturat e ulëta kanë sjellë ngrica në rrugë, por situata është mbajtur nën kontroll nga dy borëpastruese që kanë hedhur hedhur kripë në rrugë.
Kjo zonë turistike prej tre ditësh po vuan mungesën e energjisë elektrike, dhe bizneset kanë ngritur shqetësimin, por deri më tani nuk është bërë asgjë.
Ndërkohë që kushtet meteorologjike nuk favorizojnë lundrimin detar. Era fryn nga veriperëndimi, forca e detit në gjirin e Vlorës është 6-7 ballë, ndërkohë në det të hapur deri në 8 ballë, me shpejtësinë e erës që arrin në 15-20m/s dhe lartësia e dallgës 2.5 m.
Mjetet e vogla lundruese nuk lejohen të dalin në det, ndërkohë që trageti i linjës Vlorë-Brindisi ka mbërritur në orët e para të ditës.