Viti i Ri 2022 do t’i gjejë 100 familjet e para në apartamentet e reja të lagjes “5 Maji”, e cila po rindërtohet për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Gjatë inspektimit në një nga kantieret më të mëdha të Programit të Rindërtimit në Tiranë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh i lumtur për ritmin e punimeve, si dhe për faktin se për familjet e goditura nga fatkeqësia po krijohet një lagje e re moderne, me infrastrukturë, urbanistikë dhe shërbime pranë banorëve.
Veliaj: Kjo është një hapësirë fantastike, në të cilën po ngremë ndërtesa jo vetëm cilësore, me ashensorë, me parket e vetrata dopio-xham, por edhe me kushte shumë më të mira se sa shtëpitë që prishi tërmeti. Sapo të mbarojnë edhe detajet e fundit, do të jemi gati për të pritur 100 familjet e para, të cilat Viti i Ri do t’i gjejë në shtëpitë e tyre të reja. Kjo lagje do të jetë një ndër zonat më të urbanizuara në Tiranë, ku çdo gjë po bëhet e saktë – jo në fillim pallatet, e pastaj duke u shtyrë me brryla për të bërë ndonjë copë rrugë – por, rruga siç duhet, trotuari siç duhet, infrastruktura siç duhet, me ujë, drita, internet,”. Veliaj bëri edhe një apel për politikën që bllokon sa herë që Bashkia ka një projekt modernizues.
Veliaj: Apeli im për politikën është: Rrini larg “5 Majit”. Historia e Bregut të Lumit ka ngrënë shumë koka politikanësh, që kur u ndërtuan bankinat e lumit, por edhe kur kemi pasur ndërhyrje të tjera. Nuk ia uroj askujt të keqen, por kush pengon Bashkinë, kush mundohet ta përdorë për politikë e kush mundohet të mbjellë helm apo të pavërteta, kush përpiqet t’i përçajë njerëzit, t’i vërë kundër qytetit, sigurisht që merr shpagimin që meriton. Ftesa ime për të gjithë ata politikanë, jo vetëm ata që kanë lënë kockat politike këtu, por edhe të tjerët që tundohen të fusin përçarje, që më thonë – eja, eja! – unë ja ku jam! Për të gjitha këto arsye, është shumë e rëndësishme të lejohemi të punojmë, pastaj puna do flasë vetë,” deklaroi ai. Kryebashkiaku shtoi se përveç infrastrukturës dhe pallateve të reja, lagjja do të plotësohet edhe me institucione të tjera publike, si shkolla, çerdhe, kopshte e qendra sociale, çka do i japë një tjetër vlerë pronës. Ai sqaroi të gjithë pronarët që janë prekur nga projekti.