Vllaznia është rikthyer te fitorja pas tre ndeshjesh që kishte marrë vetëm një pikë. Shkodranët nuk falën përballë Kastriotit të vendin të fundit dhe morën tre pikët që e çojnë për momentin në vendin e tretë.

Përballja me krutanët përfundoi me rezultatin 3-1. Kuqeblutë shënuan dy gola të shpejtë, duke i dhënë një goditje të fortë Kastriotit. Fillimisht për Vllazninë shënoi sulmuesi Aralica, i cili e zhbllokoi ndeshjen në minutën e 10-të.

Shkodranët nuk e ndalën vrullin dhe u hodhën në sulm për të realizuar sërish. Goli i dytë erdhi pas një goditjeje këndi. Krosimi në zonë u shfrytëzua nga Ardit Hoxhaj (18’), i cili me kokë e çoi topin në rrjetë.

Në fundin e pjesës së parë shënoi edhe Liridon Latifi, por goli u anulua me VAR për një pozicion jashtë loje. 45 minutat e dyta nisën në mënyrë fantastike për Vllazninë, që me Ardit Hoxhajn (57’) shënuan edhe golin e tretë.

Kastrioti u përqoq të bënte diçka dhe shënoi shumë vonë për të shpresuar në shmangien e humbjes. Spartak Ajazi e shtyu topin në rrjetë (78’) dhe shënoi golin e dytë sezonal në Abissnet Superiore. Në fund krutanët u mposhtën dhe tashmë duhet të mendojnë për ndeshjen e radhës.