Xavi Hernandez ka nisur punën me skuadrën e tij të re, Barcelonën dhe trajneri i ri ka nisur të mendoj që tani për ndryshime në skuadër dhe në formacion. Ish-kapiteni i katalanasve nuk është për pushime në Barcelonë dhe këtë ua ka bërë me dije drejtuesve.

Në zyrat e klubit, Xavi, ka prezantuar tre emrat që ai i dëshiron që në merkaton e dimrit dhe bëhet fjalë për, Raheem Sterling, Dani Olmo dhe Dani Alves. Natyrisht nuk do të jetë aspak e lehtë, por drejtuesit po mendojnë për një sforcim ekonomik, sepse kufiri i pagave nuk e lejon klubin të jetë shumë aktivë në merkato. Gjithsesi, Sterling dhe Dani Olmo do të ishin transferime në formë huazimi me opsion blerjeje, ndërsa Dani Alves do të ishte diçka e thjeshtë. Natyrisht që mosha e brazilianit mund të jetë problemi i vetëm, por 38-vjeçari e ka shprehur hapur se ai është i gatshëm të ndihmojë Xavi-n dhe Barcelonën në një moment të tillë.

Sterling mund të konsiderohet një opsion i mundshëm sepse anglezi është jashtë planeve të Guardiolës dhe marrëdhëniet janë krisur prej kohësh me sulmuesin që ka kërkuar largimin. Barça e pret krah hapur dhe për Sterling do të ishte një destinacion i rëndësishëm. Në krahun tjetër qëndron Dani Olmo. Për të arritur te spanjolli nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi Olmo është një lojtar i rëndësishëm për Leipzig, por ai ka shprehur dëshirën për të ndryshuar ambient dhe ka kërkuar largimin në verën e ardhshme, por dëshira e tij mund të bëhet realitet që në janar, nëse Leipzig dhe Barcelona do të gjejnë gjuhën e përbashkët.

Drejtuesit e Barcelonës kanë filluar të lëvizin, kontaktet e para kanë nisur dhe kjo ka ngrohur edhe Xavi-n i cili sipas mediave spanjolle jo vetëm ka piketuar lojtarë për të përforcuar skuadrën, por edhe ata të cilët do të largohen, duke treguar se epoka Xavi sapo ka nisur.