Është zyrtare! Barcelona ka mbyllur nënshkrimin me Xavi Hernández si trajner i ri i skuadrës së parë për pjesën e mbetur të sezonit, plus dy sezonet e ardhshme. Pra, ish-mesfushori do të firmosë deri në vitin 2024 me katalanasit. I pari që e njoftoi marrëveshjen ishte Al-Sadd në rrjetet sociale:
“Administrata e Al-Sadd ka arritur një marrëveshje me FC Barcelona, pas pagesës së klauzolës së lirimit, të parashikuar në kontratën e Xavi. Ne kemi rënë dakord të bashkëpunojmë me Barcelonën në të ardhmen. Xavi është një pjesë e rëndësishme e historisë së Al-Sadd dhe i urojmë suksese.
Ai na informoi disa ditë më parë se dëshironte të shkonte te Barcelona në këtë moment të veçantë, për shkak të fazës kritike që po kalon klubi i vendlindjes dhe ne e kuptojmë këtë, ndaj vendosëm të mos ndërhyjmë në rrugën e tij. Xavi dhe familja e tij do të vazhdojnë të jenë të mirëpritur në Doha, marrëdhënia jonë do të vazhdojë”.
Sa i përket kontratës profesionale, Xavi do të marrë një pagë më të ulët se tek Al-Sadd, pasi Barcelona ka paguar klauzolën e lirimit prej 5 milionë euro. Pa paguar këtë të fundit nuk u bë e mundur ndërprerja e kontratës me klubin e Katarit.
Xavi pritet të mbërrijë në Barcelonë gjatë fundjavës, ndërsa prezantimi i tij si trajner i ri Blaugrana do të bëhet të hënën e ardhshme, më 8 nëntor në “Camp Nou”.