Nga Frrok Çupi
Foltoret e këtij po duken e po zhduken ‘gëmushave’ në një marshim si iriqi.
Sot ndodhet në Tropojë. 24 vjet më parë ishte po aty, për herë të fundit. Atëherë dikush prishi korin e asaj foltoreje: Ishte Shkëlqim Haklaj, një adoleshent.
I zoti i foltores ‘u çmend’ dhe thirri me sa kishte në kokë: ‘Merreni, kapeni, e dua me vete, e dua me vete në Tiranë!’. Ky që thërriste ishte presidenti i Republikës dhe kryetar i foltores. Hordhitë u sulën për të kapur djaloshin, dhe, po ta kapnin, do ta kishin rrjepur rrugës, si berr.
U urdhëruan të merrnin pinca, sqeparë dhe tel me gjemba…
Që atë ditë, në etyd, më është krijuar një lidhje mes asaj që ndodhi në Tropojë dhe novelës ‘Ballë përballë’ të Ismail Kadaresë:
-Po sikur të martohej gjarpri me iriqin, ça del?- pyeti njëri ushtarak mikun e tij në Bazën e Vlorës.
Qe kohë dëshpërimi dhe vetëm këso trillimesh mund ta nxirrnin njeriun për pak nga realiteti i trisshtë.
-Ça del?!… Gjarpri me iriqin?… Po dy metra tel me gjemba!, ça del tjetër?- u përgjigj ushtaraku në nxitim sikur e prisnin ngjarje dramatike.
Teli me gjemba ka krijuar asociacionin më të afërt me ngjarjet tona edhe pas diktaturës komuniste. ‘Heroi’ i foltores sot duket se gjithë jetën e tij, herë si president, herë si kryeministër, herë si ‘burrë i ndershëm’, e herë si ‘Herostrat’ që të djeg qytetin dhe tempujt, të vret njerëz e të merr pronën…, ky hero duket se udhëton i ngarkuar me telin me gjemba. Kudo ku shkel krijon një pengesë ku njerëzit nuk mund arrijnë asgjë nga aspirata e tyre për jetën. Njësoj si në Tropojë 24 vjet më parë, ku u vranë 200 djem e u shkatërruan familje dhe presidenti i shtetit mbeti ‘në gjak’. Nuk ka shekull që e kapërcen më këtë kurth…
Kurthet e ‘heroit të foltores’, që ka ngritur mes nesh këto 30 vjet, janë njëqind, dyqind, njëmijë…, ndërsa teli me gjemba mbetet po ai.
Kurthi më i fundit ‘foltoresk’ do të shfaqet pas pak ditësh:
Pas datës 11 dhjetor, ‘heroi’ do të zgjohet natën pa hënë e do të thërrasë sa ka në kokë se ‘e fitova PD-në’. Asgjë nuk do të ketë fituar, por ai të shkul trutë me të pavërtetën, me shpifjen dhe mashtrimin. Mes ditës 11 dhe ditës 18 të PD-së do të krijojë kurthin e konfliktit të pafund. Zoti Berisha mund të mos jetë një ditë, por konflikti në PD do të jetojë gjatë e përmes gjembave të pakalueshëm.
Pastaj kurthi që ka shpresë se mund t’i funksionojë:
Partia Demokratike që do të mblidhet në 18 Dhjetor do të ketë legjitimitetin në vend dhe mbështetjen nga aleatët. Prej kohësh zoti i foltores ka nisur të sulmojë Shtete e Bashkuara se ‘po na dëmton demokracinë’. Strategjia e grupimeve Islamiste se ‘lufta kundër Amerikës është luftë për Demokraci’ po ngjizet me foltoren. Po thith e çliron anti- amerikanizëm. Argumenti i fundit do të jetë ‘pse Amerika përkrah PD-në e 18 dhjetorit?’. Edhe kjo do të ketë një kurth të përtejshëm: Berisha ka nisur gjyqe kundër aleatit të madh; dhe i ka nisur në Evropë. Ai e pret të ‘thellë’ suksesin kundër Amerikës, madje më të thellë në kohë:
Kur presidenti Willson në vitin 1920 u tha fuqive evropiane se ‘nuk lejonte prekjen e territoreve shqiptare’, ‘preku’ sovranitetin e tyre, por askush nuk e çoi në gjyq presidentin e Amerikës. Po sot a mund të hapet kjo çështja e 14 pikave të Wilson për Evropën?… Këtë pret heroi i foltores. Kur ngrihet kurthi, ngrihet edhe pa ndonjë dinjitet.
Kurthin e vitit 1992 nuk e kapërcyem dot as pardje, në 29:
Kombi ynë, si këtu edhe në Kosovë, ka mbetur i lidhur në një marrëzi të lëshuar në vitin ’92, sapo Berisha mori pushtetin. Ai u ngrit në një mëngjes e tha se ‘Shqipëria nuk u çlirua në 29 Nëntor…’. Ithtarët e tij sot e kësaj dite festojnë 28, të tjerët 29. (Njësoj si me datat 11 dhe 18, Shqipëria do të mbetet peng i marrëzisë së njërit). Nuk është një marrëzi e thjeshtë, as sëmundje venale: Është tragjedia që i imponohet të vetmit komb në botë me dy ditë të të njëjtit çlirim. Mund të vijë një ditë që, për shkak të ligjit të dekriminalizimit, Shqipëria të mos pranohet në tribunat e Kombeve të Botës…, sepse ka dy ditëlindje.
Prej dekadash janë endur kurthe me radhë, kurthe, kurthe…, njëqind, njëmijë:
Kurthi i pronës, i ndërtuar me përkujdesjen e djallit nga vetë zoti Berisha me ligjin 7501. Të gjithë sot kanë pronën e tjetrit; askush pronën e vet. Në fakt askush nuk ka pronë, që atë ditë kur u bë ligji ‘Berisha’. I bie që askush nuk ka të ardhme as të sotme që atë ditë. Ata që ndjekin Berishën nëpër foltore janë ata që u kanë marrë pronën të tjerëve jashtë foltores. Ata që pengojnë rrugën dhe zhvillimin e vendit, ata janë në pronat e tjetrit… Kurthi i gjyqeve ka shkuar shumë thellë. Zoti i foltores ngriti kurthin e ‘gjyqtarëve të plepave’ dhe të juristëve të familjes. Sot secili banor i Shqipërisë ndodhet në konflikt trefish me tjetrin për shkak të mos- dhënies së drejtësisë.
Viktima dhe xhelati, si dy binjakë të historisë:
… Kurthi i viktimave të komunizmit me xhelatët që tani janë ‘demokratë’; kurthi me simbolet e komunizmit përballë Ballit dhe vice- vërsa; kurthi mes bashkëfajtorëve dhe bashëkvuajtësve; kurthi mes Berishës e Bashës ‘kush i vrau të katërt?’… Një ditë do të vijë, me siguri, kur të dalë rrugëve kurthi që po ngre Zoti i foltores ndaj viktimave të foltores. Berisha e di se nuk fiton asgjë, por i ngref miqtë e tij se ‘do të fitojmë!’. Nesër!…, ku je! Askund.
Dhe pastaj ‘heroi’ do të vazhdojë të shkelë mbi viktimat e prapë do të thotë se nuk është ai e nuk janë ato viktimat.