Gjatë fjalës së tij në kuvend, kreu demokrat, Lulzim Basha, është ndalur gjatë në konfliktin me Sali Berishën dhe konfliktin që ky i fundit ka me SHBA-në. Sipas tij, kjo i ka kushtuar shumë Partisë Demokratike, duke e lënë atë jashtë institucioneve dhe ka ulur shanset që PD-ja të vijë në pushtet.
“Sot, konflikti që Sali Berisha ka pasur dhe po thellon dita-ditës më shumë, është i shpërfaqur në sytë e të gjithëve dhe nuk ka asnjë dilemë. Nuk ka më asnjë dyshim se e gjitha kjo na ka kushtuar shumë. I ka kushtuar shumë Partisë Demokratike dhe çdo anëtari dhe votuesi të saj.
Ndaj sot është dita, në këtë kuvend, që ne të ndahemi qartësisht nga kjo fazë e cila na ka kushtuar shumë, na ka rraskapitur, na ka lënë jashtë aksesit të pushtetit, na ka lënë jashtë institucioneve, ka ulur ndjeshëm shanset për të ardhur në pushtet, ka ulur ndjeshëm shanset për të realizuar projektet tona për zhvillimin e Shqipërisë dhe demokracisë shqiptare”. Në cilësinë e kreut demokrat, ai shpalli sot mbylljen e konfliktit me partnerët strategjikë, që ishin në krah për përmbysjen e komunizmit dhe do të jenë sërish në krah kur PD-ja të vijë në pushtet.
“Unë dua të shpall sot vullnetin tim, si kryetari i Partisë Demokratike, për mbylljen e këtij kapitulli të gjatë konfliktimi me partnerët tanë strategjikë. Partneriteti i plotë dhe pa dilema me SHBA-në, partnerin tonë strategjik që ishte në krahun tonë në betejën për përmbysjen e komunizmit dhe fitores së forcave demokratike, dhe mezi pret të jetë me ne deri në fitoren e ardhshme të PD-së në krye të qeverisjes së vendit, është në themel të PD-së, është në kodin gjenetik të PD-së.
Dhe nuk ka nevojë për asnjë votim, asnjë matje, asnjë konfirmim, për asnjë proces i cili mund ta vendosë atë në diskutim. Ky partneritet është i thjeshtë, i natyrshëm, i plotë dhe i thellë. Ne, nga sot, heqim çdo paqartësi lidhur me aleancën me SHBA-në. Jo vetëm se ky është interesi ynë strategjik, por sepse ne e besojmë këtë gjë. Euroatlantizmi ynë ka lindur me PD-në dhe si i tillë ai nuk mund të vihet në asnjë votim, në asnjë referendum dhe në asnjë proces”.