Pasditen e së premtes, një ditë para kuvendit të PD, Gazment Bardhi akuzoi edhe njëherë organizatorët e “Foltores” dhe Berishën se nuk i kanë firmat e duhura për të thërritur Kuvendit dhe se kanë përdorur gjuhë përçarëse ndaj demokratëve.

Një përfaqësi nga Foltorja ka reaguar menjëherë për këto akuza, duke thënë se revolucioni nuk ndalet me falsifikime.

“Për javë me radhë, demokratët nga gjithë Shqipëria, degë pas dege kanë publikuar me gojën e tyre emrat e delegatëve që kanë firmosur për thirrjen e Kuvendit të parë në historinë e vendit që mblidhet me kërkesën e anëtarësisë.

Sot, në një krizë paniku në ditën e fundit si kryetar, Basha nxori Gaztorin e tij për të lexuar një listë që po denoncohet nga shumë demokratë si e falsifikuar dhe ku duket qartë fryrja fiktive e mandateve të qarqeve krahasuar me kuvendin e fundit. Lexohen emra pa u shoqëruar me funksionet e tyre përkatëse, apo së cilës degë i përkasin. E gjitha kjo për të krijuar turbullirë në vend të transparencës me shpresën se do krijojnë konfuzion!

Lodhen kot! Revolucioni nuk ndalet me falsifikime. Asgjë nuk mund ta ndalë vullnetin e mijëra delegatëve demokratë për të marrë pjesë në Kuvendin e Rithemelimit, i cili do të shkëpusë përfundimisht Partine Demokratike nga pazaret Rama – Basha, duke ja kthyer atë demokratëve!

Ftojmë të gjithë demokratët dhe delegatët e Kuvendit të bashkohen në Ditëlindjen e Partisë Demokratike për të dalë nga rrethi vicioz i humbjeve dhe për të nisur rrugëtimin tonë drejt FITORES!”.