Jo vetëm Shtetet e Bashkuara dëshmuan vëmendje të madhe për Ballkanin me caktimin e disa figurave të rëndësishme si të dërguarit e tyre në rajon.
As Mbretëria e Bashkuar nuk mbetet pas kur vjen fjala tek “artileria e rëndë e diplomacisë”.
Kryeministri Boris Johnson caktoi të Dërguar të Posaçëm të Londrës për Ballkanin Perëndimor Sir Stuart Peach, ish kryetar i komisionit ushtarak të NATO-s dhe ish shef i shtabit të ushtrisë britanike, një lëvizje kjo që konsiderohet si shenjë e qartë e angazhimit të plotë të Britanisë së Madhe për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.
“Si i Dërguar Special, Sir Stuart do të punojë me liderët e Ballkanit Perëndimor e të tjerë në rajon si dhe me aleatët tanë në SHBA dhe Europë për të mbështetur e forcuar stabilitetin rajonal. Puna e tij do të përfshijë gjithashtu promovimin e institucioneve të forta demokratike dhe shoqërive të hapura, do të ndihmojë luftën kundër krimit të organizuar e do të inkurajojë zgjidhjen e cështjeve të trasheguara si ato që lidhen me krimet e luftës dhe të zhdukurit”, thuhet në deklaratë.
Sa i takon Serbisë dhe Kosovës, Sir Stuart do të punojë me partnerët tanë për lehtësimin e dialogut Kosove-Serbi, theksohet më tej.
Deklarata kujton paralajmërimet se Bosnja Hercegovina po përballet aktualisht me kërcënimin e saj më të madh ekzistencial të periudhës së pas-luftës, dhe se ekziston një rrezik real për ndarjen e vendit dhe shpërthimin e një konflikti, ndaj dhe konsiderohet e një rëndësi kyçe që të shtohen përpjekjet për ruajtjen e stabilitetit në linjë me marrëveshjen e Dejtonit, me qëllim që të ruhen 26 vite progresi të shënuara me shumë mund në këtë vend.