Ish-presidenti Bujar Nishani ka reaguar në lidhje me sulmin e djeshëm ndaj Evi Kokalarit dhe Albana Vokshit, në selinë blu.

Në një postim në rrjetet sociale, Nishani fajëson për ngjarjen në fjalë Lulzim Bashën, për të cilin thotë se është një burracak që fshihet pas grave.

Më tej, Nishani paralajmëron Bashën, se kjo është e do të mbetet përgjegjësi direkte e tij personale.

“Lulzim Basha që nuk pati kurrë burrërinë të bënte beteja të forta me kundërshtarin politik, regjimin e Edi Ramës, sot nxori dy gra, të shajnë e bërtasin në oborrin e Selisë.

Ky burracak që u fsheh mes grave, ditën kur Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike shkoi në Seli, sot ndërseu individë që as nuk e kuptojnë se çfarë thonë e bëjnë, kundër zonjave të nderuara, pasqyrë qytetarie, morali dhe integriteti të lartë.

Lulzim Basha e di mirë se kjo është e do të mbetet përgjegjësi direkte e tij personale.

Dhuna e sotme ndaj zonjave të Partisë Demokratike do të marrë përgjigjen që i takon.

Koha do të ecë përpara”-shkruan Nishani.