Dhënia e “Topit të Artë” të vitit 2021 Lionel Messit ka krijuar shumë debate në botën e futbollit. Shumë mendojnë se ky çmim duhet të shkonte për Robert Lewandowski kësaj here, edhe si një kompensim për padrejtësinë e vitit të kaluar, kur polaku meritonte në mënyrë absolute gjithçka.
Megjithatë, ka të tjerë që nuk e konsiderojnë skandal atë që ndodhi më 29 nëntor, sepse ka pasur shumë më keq me këtë çmim. I këtij mendimi është edhe Antonio Cassano, i cili, duke folur për ‘Bobo TV’, shpjegoi se pse bomberi i Bayern Munich duhej të triumfonte vitin e kaluar:
“Në vitin 2020, ‘France Football’ duhej t’ia jepte ‘Topin e Artë’ Robert Lewandowskit, sepse ai ishte lojtari më i fortë në atë sezon. Ai ishte mbi gjithçka dhe mbi të gjithë, për sa iu përket fitoreve ekipore dhe individuale.
Ai fitoi gjithçka, madje duke mposhtur rekordin e Gerd Muller. Në vitin 2020, ‘Topi i Artë’ shkonte vetëm dhe ekskluzivisht te Lewandowski. Prandaj Messi, i cili është një djalë inteligjent dhe me një përulësi unike, e tha në skenë këtë gjë para miliona njerëzve”.
Cassano nuk mendon se është e drejtë të kritikohet dhënia e çmimit për Messin më 2021: “Ditët e fundit flitet për skandal nëpër gazeta, por a e dini cili është skandali i vërtetë? A i jepet ‘Topi i Artë’ Sammer apo Cannavaro dhe jo Paolo Maldinit?
Maldini ka luajtur tetë finale të Champions League, ka luajtur për 25 vite në nivele absolute, ndërsa Sammer dhe Cannavaro në ato nivele kanë luajtur vetëm një muaj. Të dy së bashku nuk bëjnë atë që bëri Maldini në histori. Ky është skandali real”.