Juve është zhytur në një krizë sportive dhe ekonomike. Klubi bardhezi madje po hetohet për mashtrim të supozuar kontabël në disa operacione që janë bërë për të balancuar numrat dhe për të shpëtuar llogaritë që kanë vuajtur vite të tëra eksesesh dhe investimesh të këqija, të nënshkrimeve që nuk dhanë produktin e pritur, të milionave të shpërdoruara.

“Gazzetta dello Sport” ka botuar një reportazh që tregon se si klubi nga Torino ka përfunduar në një situatë të vështirë ekonomike. Juve gaboi duke harxhuar 500 milionë euro, thonë mediat italiane. Dhe në majë të ajsbergut, në krye të tabelës së shpenzimeve që nuk justifikoheshin, qëndron Gonzalo Higuaín.

“Gonzalo Higuaín është emri i parë që bie në sy kur shqyrton funksionimin e merkatos në vitet e fundit”, – shkruan “Gazzetta”, e cila vlerëson koston e kalimit të argjentinasit në skuadrën bardhezi për 122 milionë euro nga Napoli.

“Higuaín kushtoi 122 milionë: 91 për blerjen, 45 për pagën (përfshirë kompensimin), 4 për shpenzimet ndihmëse. Janë shumë pak 18 milionët e mbledhura nga transferimi i tij te Milani dhe Chelsea në sezonin 2018-2019. Golat e tij shërbyen për titujt e viteve 2017 dhe 2018, por janë shumë pak për të justifikuar disbursimin”, – analizon prestigjiozja sportive italiane.

Në listën e futbollistëve shfaqen edhe gabime si Douglas Costa (87 milionë shpenzime), Arthur (85), Bernardeschi (73) apo Kulusevski (49), i cili nuk ka pasur performancën e pritur dhe tashmë kërkon një rrugëdalje në merkaton e dimrit.

Po Cristiano Ronaldo? Pavarësisht se nënshkrimi dhe paga e tij kapin një shpenzim prej 277 milionë euro, “Gazzetta” konsideron se koha te Juventusi i ka dhënë klubit përfitime që kanë shkuar përtej fushës së lojës dhe nuk e përfshin portugezin në listën e “mbeturinave”: “Jo, gabime janë bërë diku tjetër”.