Ajo që nuk ndodhi ditën e hënë kur selia blu u mbush plot me demokratë të qëndrimeve të kundërta kur pas 4 muajve Berisha zbarkoi në selinë blu, ndodhi dje mes grave.
Anëtarja e Komisionit të Rithemelimit të PD, Evi Kokalari, u përplas verbalisht, por edhe me prekje fizike me Violeta Gecan. Rreth orës 15:00 të mesditës, kryetarja e Forumit të Gruas, Albana Vokshi, mbërriti dje në selinë blu me pretendimin se do të zhvillonte një mbledhje me gratë e forumit ku pjesë ishte edhe Evi Kokalari. Por teksa shkuan për në zyrë Vokshi tha se derës i kishin ndryshuar bravën, ndërkohë dolën për të gjetur një tjerët sallë që të mblidheshin. Ato kaluan për nga hyrja që të çon në zyrën e kryedemokratit, por nuk u ndalën në zyrën e tij pavarësish se Kokalari vazhdimisht kërkonte zyrën e z. Basha.
Por pasi nuk gjetën zyra as në katin e dytë teksa po zbrisnin gratë që shoqëronin Vokshin u përballën me Violeta Gecan dhe një grua tjetër të quajtur Drita. Fillimisht, teksa Vokshi po dilte së bashku me Kokalarin, Violeta Geca i është drejtuar Kokalarit me fjalë banale, megjithatë në atë moment incidenti u shmang. Por incidenti nuk arriti të shmangej kur Vokshi dhe Kokalari po jepnin për mediat deklaratën. Teksa Vokshi po fliste, Violeta Geca dhe zonja tjetër po debatonin ashpër me Kokalarin, madje në një moment e prekën me dorë dhe i kërkonin që të jepte llogari se me çfarë parash paguan biletat Amerikë-Shqipëri. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të Vokshit për të mos u përfshirë në debat, Kokalari në një moment u përplas fizikisht me Violetën. Pas kësaj u ndërpre deklarata dhe Vokshi së bashku me gratë e tjera u largua.
Më vonë, Kokalari reagoi përmes një postimi në “Facebook”, ku i drejtohet kryedemokratit Basha se duhet të mbajë përgjegjësi. “Lulzim Basha duhet të marrë përgjegjësi për dhunën verbale, psikologjike dhe fizike të ushtruar ndaj meje dhe disa grave të tjera në ndërtesën e PD-së sot. Dy gra, që ishin komplet jashtë kontrollit, u munduan të na intimidonin me sharje vulgare dhe dhunë fizike, dhe Lulzim Basha që ishte në seli, nuk mori mundimin ta ndalojë për gati një orë që ishim aty, që do të thotë që Lulzim Basha ishte pjesë e këtij vullgariteti”, reagoi ajo.
KUSH ËSHTË VIOLETA GECA?
Violeta Geca është një personazh i njohur për publikun për shkak të përplasjeve që ajo ka pasur në mënyrë të vazhdueshme me kryebashkiakun Erion Veliaj, Kryeministrin Rama, një ish-funksionar të LSI-së dhe së fundmi me demokratët, të cilët që pas 25 prillit janë vendosur kundër Bashës. Violeta Geca është shpërngulur në Tiranë në vitin 2002, kohë kur edhe ka filluar të angazhohet me PD-në. Ajo ka qenë nëpunëse e Bashkisë së Tiranës gjatë kohës që drejtohej nga Basha. Ndërkohë, në 2015, kur në krye të bashkisë erdhi Erion Veliaj, ajo ka pasur një përplasje me të, madje duke e qëlluar pasi e pushoi nga puna. Një tjetër episod përplasjeje ka qenë më herët kur Violeta ka aderuar në LSI dhe ka qëlluar më shuplakë kryetarin e LSI në atë kohë në njësinë numër 6 Guri Seferi.
Ndërkohë, në vitin 2020 ajo ka pasur një tjetër rast përplasje me Kryeministrin Rama teksa ky i fundit po jepte një konferencë për shtyp, Violeta thërriste nga larg duke e akuzuar si hajdut. Për këtë ajo është shoqëruar më pas në Komisariatin nr. 1 të Policisë së Tiranës. Por pas përplasjeve me kundërshtarët politikë të PD, gjatë këtij viti Violeta Geca është përplasur shpesh me demokratët, të cilët pas zgjedhjeve të 25 Prillit janë vendosur kundër Bashës.
Fillimisht, ajo debatoi dhe sërish gati për t’u konfrontuar fizikisht me Ibsen Elezin, ish-kryetarin e PD-së në Kukës, i cili kërkonte shkarkimin e Bashës. Më 30 prill, ajo i ndërpreu Elezit një deklaratë që po jepte për mediat pasi kërkonte dorëheqjen e Bashës 5 ditë pas zgjedhjeve të 25 Prillit. Që pas asaj kohe, vizitat e Violetës ishin të rralla në PD. Ndërkohë që tani sërish ka vijuar të jetë më prezentë. Violeta ishte në mes të dhjetëra burrave që erdhën të hënën në selinë blu me Berishën dhe u konfliktua me ta verbalisht. Ndërsa rasti i fundit i përplasjes ishte dje me gratë e Forumit të Gruas që drejtohet nga Albana Vokshi, e cila është pozicionuar pranë Berishës. Por përse reagoi Geca. Ajo ka shpjeguar në një intervistë për gazetën “Panorama” se si u gjend në atë përplasje.
INTERVISTA
Violeta Geca: Unë e njoh Bashën që në kohën e Telekomit se kemi pasur ato marrëdhënie që atje. Kur erdha në Tiranë, iu drejtova dhe më ndihmoi, më mori në punë. Pra, me atë punë u kam dhënë fëmijëve bukë. Më pas më largoi Veliaj, sepse nuk punonte dot më mu. Mua më hoqën nga puna nga Telekomi, sepse kam pasur burrin me PD. Unë jam angazhuar me PD, në vitin 2002 kur kam ardhur në Tiranë.
Ju ishit aty për të mbrojtur institucionin?
Unë isha rastësisht aty. Të pushtohen zyrat, të pushtohen në këtë mënyrë nuk ban. Edhe unë jam anëtare e forumit të grave dhe nuk më kanë lajmëruar. Unë jam kundër zhvillimeve që po ndodhin në PD. Kundër skenarëve të krahut tjetër. Krahu tjetër po vepron me skenar, ndërsa ne jo. Ne jemi të regjistruar në gjykatë. Nëse ata kanë diçka, të ulen me ne dhe t’i shtrojnë pakënaqësirat. Ato erdhën dhe hynë zyrë e më zyrë dhe kjo s’mund të ndodhë. Nuk mund të dhunohen institucionet. Ne jemi aty. Nëse ato duan t’i diskutojnë, të vinë e të ulen edhe me ne. Të na flasin të na mbushin mendjen nëse e kanë ato drejt e ne gabim. Zoni ndryshe nuk dëgjohet. Për të mos u dëgjuar zëri ndryshe mua më nxorën.
Pra, ju jeni anëtare e PDsë?
Unë jam anëtare e Forumit të Grave, anëtare e Partisë Demokratike. Unë në foltoren e Berishës m’u ka thy krahu. Albana Vokshi dhe kryetarja e grave të Kombinatit kanë dhënë urdhër dhe më kanë nxjerrë jashtë duke më thyer krahun. Prandaj reagova. Sot ishte një reagim i imi dëshpërues për mënyrën se si silleshin ato zonja dhe prandaj reagova në mënyrën që po mashtronin dhe po jepnin deklarata të rreme. Kokalari duhet të tregojë sa rrugë ka bërë Shqipëri-Amerikë, me çfarë misioni vjen. Ajo nuk është anëtare e PD-së. Duhet të japë shpjegime në shërbim të kujt është dhe arsyen pse vjen para PD-së dhe provokon. Edhe unë jam zëri ndryshe i forumit të grave të PD dhe duhet të më dëgjonin.
Ato nuk ju kishin lajmëruar ju?
Jo, nuk më kishin lajmëruar. Në foltoren e Berishës në Tiranë me gratë unë jam nxjerrë me dhunë dhe më kanë dëmtuar dhe krahun.
Përse ju nxorën?
Se isha zëri ndryshe, kundër programit dhe politikave të Albana Vokshit. Bashkë me strukturat që kishte.
Violeta, ju keni reaguar fort edhe ndaj z. Veliajt apo z.Rama, madje keni shkuar edhe në polici. Përse këto reagime agresive tuajat?
Unë protestoj sepse kam 22 vite në Tiranë dhe jam pa shtëpi, pa punë dhe jam kryefamiljare dhe nuk kam përfituar. Kështu që unë nuk jam konfliktuale, por protestuese.
Cili është profesioni juaj, çfarë punësh keni bërë gjatë këtyre viteve?
Kam punuar 5 vite në fabrikë të bakrit në Kukës, kam punuar 13 vite në Telekom teknike transmetimi, kam punuar prezantuese malli me shumicë dhe pakicë dhe së fundmi magaziniere në Bashkinë e Tiranës. Dhe aktualisht pa punë. Jam kryefamiljare pa punë dhe pa strehë.
Ku jetoni aktualisht?
Jetoj në njësinë numër 6 në kryeqytet në një banës me qira. Unë kam një djalë që jeton jashtë me familjen e tij dhe më ndihmon për të përballuar shpenzimet e mia në Shqipëri./ Burimi: Panorama.com.al