Zv.kryeministri Arben Ahmetaj mori pjesë sot në takimin që u zhvillua në Tiranë, për prezantimin e digjitalizimit të Kadastrës, proces që pritet të zbatohet në periudhën janar 2022- dhjetor 2023.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Ahmetaj tha se “se kjo që po bëjmë sot është fillimi i fazës së fundit të çlirimit të qytetarëve nga barra e Kadastrës. E drejta e pronës është në themel të të drejtave universale të njeriut dhe midis qytetarit dhe pronës qëndron një institucion që ia bën qytetarit të vështirë ose të lehtë gëzimin e pronës së tij”.

Ai e vlerësoi angazhimin e qeverisë në digjitalizimin e Kadastrës si një qasje të re që lehtëson shërbimin ndaj qytetarit.

“Zgjidhja e çështjes së pronës është çështje legale, por edhe çështje proceduriale. Imagjinoni dikë që ka një pronë në bregdet e po kalon vite e vite e mund të pafund për të pasur në dorë letrën që të gëzojë pronën e tij. Ndaj me këtë nismë, qeveria e vendos veten drejtpërdrejtë përgjegjëse për ta bërë sa më transparente, sa më të shpejtë gëzimin e pronësisë nëpërmjet një klikimi. Eshtë punë e madhe dhe shumë punë është bërë, por këtu me kadastrën kemi shumë punë për të bërë, pasi jemi në 2021 dhe arkivat e Kadastrës janë të 1950-s e më përpara, ku një punonjësi të Kadastrës i duhet me ditë të tëra të kërkojë në dosjet e kadastrës për të gjetur pronësinë, shto këtu edhe vendimet e pafundme të gjykatave”, tha Ahmetaj.

Sipas tij, “kjo që po bëjnë nuk është vetëm dixhitalizim. Por në themel është çlirimi i qytetarëve, është heqja e një hallke burokratike ku qytetarët nuk do të ketë përballë një institucion të pronave por do të kenë një sistem që në arkivat e saj digjitale i ka të gjitha dokumentet transparente, në sekondën që duhet dhe çdo qytetar me një klik për 1 minutë ta ketë letrën e pronës në telefon”

Ahmetaj theksoi se, “kjo është një betejë me të kaluarën që nuk është e thjeshtë. Arkivat duken si një nga kështjellat e fundit të të kaluarës, që nuk janë prekur në 30 vite. Nuk po mburremi për këtë që kemi nisur sot. Por kemi nisur një revolucion digjital për të thënë që Shqipëria 2030 është një shoqëri e teknologjisë së informacionit, që e çliron qytetarin nga zinxhirët e burokracisë”.

“Dua të pranoj se shumë është bërë në teknologjinë e informacionit. Janë 95% e shërbimeve online. Kur e nisëm këtë revolucion para tre vite e gjysmë, kishte dhe cinikë, por ja ku jemi sot, ku ka mbi 500 mijë shërbime online në vit, do të ketë edhe me miliona dhe kultura e shoqërisë dhe qytetarëve po shkon drejt lehtësimit të jetës së tyre drejt digjitalizimit. Kemi shumë punë për të bërë, është me dy faza. Në vitin 2022 do të marrim fashën e Bregdetit, do ta digjitalizojmë arkivën e gjithë kësaj pjese dhe paralel po zhvillohet projekti për përmirësimin e procesit, që nga 700 mijë prona të kalojmë në 1 milion e 700 prona e të shkojmë në 4 milionë prona në dy vite”, u shpreh zv. kryeministri.

Ai tha se kryeministri Rama, e ndjek këtë projekt çdo ditë pasi e drejta e qytetarëve është më shumë se një premtim.

“Falënderoj donatorët, edhe për shtytjen që na kanë dhënë në vazhdimësi. Me këtë hap sigurojmë që Shqipëria është e qytetarëve. Kadastra ka nevojë që të jetë fytyra e buzëqeshur”, tha Ahmetaj, teksa vuri në dukje se, “Ligji 7501 është përpara nesh për ta zgjidhur një herë e mirë dhe do të kemi gjithë Shqipërinë të digjitalizuar dhe më pas do të nisim digjitalizimin e hartave dhe do të kalojmë në digjitalizimet satelitore Shqipëria 1 dhe Shqipëria 2, në funksion të monitorimit të territorit dhe të bërjes së shërbimeve online”.

Ai solli në vëmendje se, në 2013 ishin 20 mijë legalizime, sot në 8 vite janë mbi 200 mijë legalizime dhe procesi vazhdon por kadastra ka detyrë të jetë fytyra transparente dhe në gatishmëri e një qeverie për shërbime të përmirësuara ndaj qytetarit.

Ahmetaj theksoi se, ringritja ekonomike tashmë po konsolidohet sipas statistikave zyrtare por punë ka për të bërë mjaft. “Një vend duhet të pedalojë pa u ndalur se vetëm kështu mund t’ia dalim”, përfundoi Ahmetaj.