Kryeministri Edi Rama ishte sot në Laç për t’u dorëzuar banesat e reja qytetarëve që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit. Ai u shpreh se: “Kam dy vite që e pres këtë moment, sepse këtu ka qenë një nga pikat më të nxehta të plagës që hapi tërmeti dhe një nga punët më të mëdha që duheshin bërë.” Kryeministri shtoi se:”Sepse këtu ka qenë dhe skpeticimzi me i madh që nga thashethemi se këtu do prishen ndërtesat dhe nuk do na i japin kurrë mbrapsht, se do ndërtojnë pallate për veten. Lloj lloj thashethemesh po ja ku jemi sot këtu dhe këtë lagje që do donte ta kishte çdokush në Tiranë, e keni ju dhe ndryshe nga pallatet e reja në Tiranë që janë me këto standarde dhe kushtojnë shtrenjtë, ju i keni falas dhe me dokumenta pronësie.”
“Laçi është shembulli që rindërtimi nuk është bërë për socialistët, po për gjithë shqiptarët që janë prekur nga tërmeti, socialist, demokratë e kushdo tjetër. Rindërtimi është një program për shqiptarët, për familjet shqiptare që ndodhen në një moment kritik dhe kanë nevojë për shtetin. Në 11 bashkitë e prekura, në pjesën dërrmuese janë financim i qeverisë shqiptare. Masivisht është financuar nga qeveria shqiptare me gjithë forcën e shpirtit” theksoi Rama. Për rilindjen e Laçit janë mbledhur një grup partnerësh: qeveria shqiptare, qeveria turke, Komisioni Europian, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Laç, duke dhënë një shembull bashkëpunimi midis donatorëve dhe qeverisë.
Zona 1 e lagjes së re në Laç, është një financim i qeverisë turke, ku janë ndërtuar 13 banesa kolektive, 26 hyrje pallatesh, 522 apartamente, 25 njësi shërbimi dhe 380 vende parkimi.
Gjithashtu, zona 1 është e pajisur edhe me një qendër tregtare që ka 12 njësi shërbimi e infrastrukturë sipas standardeve evropiane, një kënd lojërash dhe hapësira të gjelbra midis pallateve.
Ndërkohë, zona 2 e lagjes së re të Laçit është financuar dhe menaxhuar nga qeveria shqiptare, ku është projektuar ndërtimi i 10 banesave kolektive me rreth 203 apartamente.
Deri më tani ka filluar puna për ndërtimin e 7 banesave kolektive dhe janë kryer rreth 85% të punimeve për ndërtimin e rrjetit rrugor dhe infrastrukturës urbane.
Një tjetër donator është Komisioni Europian, i cili me anë të programit EU4schools, ka financuar ndërtimin e 6 objekteve arsimore, ndërsa shteti shqiptar ka akorduar fonde për 5 të tilla.
Spitali i Kurbinit pësoi po ashtu dëme të mëdha nga tërmeti dhe ndërtimi i godinës së re mundësohet nga bashkëpunimi i ngushtë midis qeverisë shqiptare, Bankës Botërore dhe Bashkisë Kurbin. Përfundimi i tij pritet të jetë në pranëverë.
Është financuar ndërtimi i 443 banesave individuale, nga të cilat 218 familje kanë marrë Grantin e Rindërtimit për t’i ndërtuar vet banesat e tyre dhe 225 banesa individuale janë nën përgjegjësinë e Bashkisë Kurbin.Nga ana tjetër, 13 banesa individuale po ndërtohen nga organizata humanitare Caritas Albania, që ofroi ndihmesën e saj të çmuar në procesin e madh të rindërtimit. Asnjë qytetar i prekur nga tërmeti në Laç nuk është lënë në harresë, andaj janë trajtuar deri tani me grante 2181 familje dhe 1126 familje të tjera kanë përfituar bonus qiraje.
Pas dorëzimit të banesave të reja në Tiranë, Thumanë, Kavajë e Laç puna e qeverisë do të vijojë derisa brenda muajve të parë të 2022 të jenë ndërtuar të gjitha lagjet e reja model, për të mos lënë asnjë gjurmë nga rrënojat e tërmetit.