Epidemiologu Fabian Cenko u shpreh se doza e tretë e vaksinës rrit nivelin e mbrojtjes nga Omicron me 70 përqind. I ftuar këtë të hënë në emisionin “Abc-ja e mëngjesit” me Enkel Demin dhe Sibora Bitrin, duke iu referuar rastit të Anglisë, epidemiologu theksoi se rritja e rasteve mund të dyfishohet brenda pak ditësh edhe pse klinikisht, varianti Omicron është më i lehtë sesa Delta.
“Është parë që Omicron me dy dozat jep një mbrojtje e cila në rastin e Modernës dhe Pfizer është rreth 40 përqind, shumë më e ulët se Astrazeneca. Doza e tretë që shoqërohet me një rritje të mbrojtjes artikorpale e çon në 75 përqind. Po flasim për mbrojtjen e formave klinike të sëmundjes. Shpresohet që niveli i mbrotjes në format spitalore dhe të rënda të jetë më i lartë. Por në format klinike, doza e tretë karshi Omicron çon në një mbrojtje të krahasueshme në krahasim me Deltën. “, tha ai.
Më tej, ai shtoi se qarkullimi i Covid-19 në vendin tonë është në një nivel të qëndrueshëm por siç shtoi ai, pritet të ketë një rritje me festat e fundvitit. “Ajo që ne mund të themi, e cila është përtej varianteve, është që vaksinimi dhe imunizimi artificial është forma më e mirë dhe e sigurt e uljes së rasteve.
Në rastin më të mirë të rasteve klinike, por nëse do të shfaqen do të kenë një mbrojtje të mirë në raport me riskun për t’u shtruar në spital. Nevoja për t’u takuar me njëri tjetrin, le të themi tendenca popullore për të mos u shqetësuar për masat do të mund të rrisë numrin e rasteve në bazë të dy elementëve. Së pari, të shkallës së depërtimit të këtij varianti dhe së dyti në bazë të nivelit të mbrojtjes që popullata ka.”, tha ai.