Ish kryeparlamentarja Jozefina Topalli deklaroi se Foltorja është lëvizja më e fuqishme e këtyre tre dekadave, që kërkon të nxjerrë jetën politike nga paligjshmëria ku është zhytur. E ftuar në emisionin “Debat” me Alba Alishanin në A2 CNN, ajo shtoi se kjo garë mes demokracisë dhe autokracisë do të përcaktojë çfarë do të ndodhë më vonë. “Kriza është shumë e thellë. Foltorja është flaka e ndezur dhe lëvizja më e fuqishme e këtyre tre dekadave që kërkon të nxjerrë jetën politike nga paligjshmëria ku është zhytur dhe status quo-ja ku qëndronte.
Ne nuk kemi parë më herët ushtrim demokracie kaq të fuqishëm. Lëvizje kaq energjike dhe kaq shpresë. As nuk e kishim menduar që Lulzim Basha do të merrte një vendim personal për përjashtimin e Berishës. Lëvizje unike dhe shfaqje e demokracisë në thelb që i mungonte jetës politike. Rreze drite që projekton dhe njerëzit duan të besojnë se sjell ndryshim pozitiv për vendin. Gara mes demokracisë dhe autokracisë do të përcaktojë çfarë do të ndodhë më vonë me të ardhmen e një brezi të ri.
Kryetari de jure e ka humbur të gjithë ushtrinë e tij. Po rishikohet mundësia e rikthimit të disa shtyllave të demokracisë që kanë humbur”, tha Topalli.