Anëtari i kryesisë së PD-së Eno Bozdo, ju ka bërë thirrje kolegëve të tij që morën pjesë dje në mbledhje me Lulzim Bashën, duke ju rikujtuar vendimet e djeshme të Kuvendit.

Sipas tij edhe ata që janë në krah të Bashës, ashtu si të gjithë demokratët pa asnjë përjashtim, kanë shqetësimin e madh se cfarë do të bëhet me PD, sepse kanë sakrifikuar për PD duke qënë të gjithë sëbashku në përballjen e opozitës së parë, të dytë e madje edhe të tretë.

Më tej Bozdo ka thënë se vendimet e djeshme nuk kanë asnjë grimë “antiamerikanizmi”, dhe është e turpshme të trajtohen si të tilla.

Miqtë e mij, sot shikoni me sytë e mijëra delegatëve dhe demokratëve që u mblodhën dje në Kuvendin legjitim të tyre. Ata e duan PD më shumë se secili nga ne individualisht. E duan më shume se Berisha apo Basha. Dashuria e tyre është më e pastra sepse është dashuri e sakrificës. Vetëm duke e parë kështu do të mbani sot qëndrimin më dinjitoz të mundshëm. Do të vijë shpejt një ditë që qëndrimi sot mund t`ju bëjë krenar aq sa kokëulur. Historia nuk harron kurrë. Sot duhet menduar vetëm për interesin më të mirë të PD”, shkruan Bozdo.

Deklarata e plotë
Për ata që u mblodhën dje dhe që do të mblidhen përsëri sot në Selinë e PD

Nuk dua ta nis thjesht me argumentin se mbledhja e djeshme e Kryesisë dhe ajo e sotmja e Këshillit Kombëtar, nuk kanë më asnje vlerë juridike, përsakohë Kuvendi Kombëtar i djeshëm drejton PD. Vendimet e djeshme të Kryesisë dhe ato të sotmet të pritshme janë thjesht pa asnjë ndikim politik e më tej.

Desha ne fakt tu bëj një thirrje shumë miqve të mij, që për shumë arsye morën pjesë në mbledhjen e djeshme dhe do marrin pjesë sot në mbledhjen e sotme në selinë e PD. Jam i sigurtë që ata, ashtu si të gjithë demokratët pa asnjë përjashtim, kanë shqetësimin e madh se cfarë do të bëhet me PD, sepse kanë sakrifikuar për PD duke qënë të gjithë sëbashku në përballjen e opozitës së parë, të dytë e madje edhe të tretë.

Ju miqtë e mij e dini se PD foli dje në Kuvendin e saj, qartë dhe hapur: ajo kërkon të rikthehet në rolin e saj opozitar, rikthehet në vlera thelbësore të qëndrës së djathtë, kërkon të hapet dhe modernizohet për tu përballur me Ramën. Ajo kërkon të mos jetë më humbëse, por të jetë alternativë e vërtetë fituese. Ajo mendon se lidershipi zyrtar nuk ka më kredo morale dhe politike të drejtojë PD në betejën e ardhshme.

Vendimet e djeshme, siç edhe ju e dini, nuk kanë asnjë grimë “antiamerikanizmi”, dhe është e turpshme të trajtohen si të tilla. Vendimet e djeshme janë të vetmet që na rikthejmë aty ku duhet, pa fshehur aspak se do të kërkojë shumë mund dhe këmbëngulje për të fituar përballjen me Ramën.

Ju miq e mij, keni shansin sot të mbroni interestat e mirëfillta të PD, jo duke përjashtuar por duke kërkuar hapjen e dialogut për organizimin e zgjedhjeve për lidershipin e PD. Jo duke goditur “armiqtë”, por duke i kërkuar drejtuesit të mbledhjes të hapë rrugën për të mirën e PD.

Cdo përjashtim sot është qesharak, kur dje PD ka folur qartë dhe fortë. Përjashtimet nuk kanë asnjë vlerë, thjesht zbulojnë absurdin e izolimit të atyrë që kanë zgjedhur internimet politike për të mbajtur karriget.

Por faktet janë aty dhe e vërteta është kokëfortë. Çfarë duan masivisht demokratët është shumë e qartë. Ata duan të bëjnë opozitë. Ata kërkojnë lirinë për të zgjedhur me votë lidershipin e tyre, dhe jo një lidership që fshihet pas statutit dhe procedurës. Duan një opozitë dinjitoze dhe aspak gojëkycur dhe dredharake. Këtë në fakt duan dhe meritojnë shqiptarët sot.

Prandaj sot tregoni me qëndrimet tuaja se PD nuk mund të mbahet me zor, se ajo nuk mund të përjashtojë dhe as të marrë vendime që copëtojnë partinë dhe demokratët, në interes të një grushti njerëzish pa histori, që janë katapultuar në majë të saj. Misioni ynë është fitorja përballë Ramës, dhe jo strehëza e ngrohtë për humbësit në opozitë.

Miqtë e mij, sot shikoni me sytë e mijëra delegatëve dhe demokratëve që u mblodhën dje në Kuvendin legjitim të tyre. Ata e duan PD më shumë se secili nga ne individualsht. E duan më shume se Berisha apo Basha. Dashuria e tyre është më e pastra sepse është dashuri e sakrificës. Vetëm duke e parë kështu do të mbani sot qëndrimin më dinjitoz të mundëshëm. Do të vijë shpejt një ditë që qëndrimi sot mund t`ju bëjë krenar aq sa kokëulur. Historia nuk harron kurrë. Sot duhet menduar vetëm për interesin më të mirë të PD!