Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka fituar gjyqin për shpifje ndaj deputetes së PD-së, Grida Duma. Gjykata e Posaçme ka rrëzuar pretendimet e deputetes Duma për shpifje nga ana e kryebashkiakut Veliaj.

Sipas vendimit të gjykatës, Veliaj nuk ka shpifur kur gjatë fushatës i ka kujtuar Grida Dumës se i kishte shitur disa herë të njëjtin apartament një individi dhe se ajo qe dënuar nga gjykata për mashtrim.

Të njëjtin mendim me gjykatën pati edhe prokuroria, e cila ka nënvizuar se kryebashkiaku s’ka shkelur ligjin dhe s’ka konsumuar elementet e veprës penale të shpifjes.

Kjo nuk është humbja e vetme e Grida Dumës përballë Erion Veliajt. Në zgjedhjet e 25 prillit Duma e sfidoi Veliajn me pretendimin se do ta mundte në Kavajë. Por rezultati përfundoi me fitoren e thellë të socialistëve të drejtuar nga Veliaj në Qarkun e Tiranës. Më herët, deputetja Duma ka pësuar disfatë edhe në Tiranë, ku ka humbur përballë Veliajt edhe në Njësinë 1.