Deputeti i Partisë Demokratike dhe anëtar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Flamur Noka, i kërkon informacione drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano përse selia blu ishte rrethuar dhe kishte prezencë të shtuar policie në datën 11 Dhjetor.

Përmes një letre dërguar Gledis Nanos, deputeti Noka kërkon të informohet dhe të vendosen në dispozicion të dhënat që ka pasur policia përse ka ndërmarrë atë veprim duke rrethuar selinë e PD ditën kur mbahej Kuvendi i 11 Dhjetorit i iniciuar nga ish-Kryeministri Sali Berisha.

Letra e Flamur Nokës drejtuar Gledis Nanos:

Gjatë punimeve të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, ditën e shtunë, datë 11.12.2021 nga ora 12:00 deri rreth orës 18:00, Policia e Shtetit ka patur të përqëndruar në të gjithë perimetrin e godinës së Selisë Qëndrore të Partisë Demokratike prezencë të Forcave Speciale të Policisë së Shtetit (FNSH, RENEA), në kundërshtim me çdo akt dhe urdhër që normojnë punën e Policisë së Shtetit.

Ky veprim nga ana e Policisë së Shtetit konstatohet për herë të parë në 31 vite pluralizëm, ku forcat policore në mënyrë të kundraligishme përfshihen në një situatë të brendshme të një partie politike në Shqipëri.

Duke u nisur nga këto fakte, kërkojmë nga ana juaj informacion se kush janë arsyet, informacionet tuaja për këtë veprim, nga ju kanë ardhur këto të dhëna dhe kush është institucioni që ka kërkuar këtë përqëndrim të forcave policore, pranë selisë së PDSH-së.

Në pritje të një përgjigje shteruese për sa kërkohet më sipër.