Nga Mero Baze

I vetmi evolim i Sali Berishës, që pas futjes në listën e zezë të SHBA si hajdut dhe minues i demokracisë në Shqipëri, është kalimi nga “Qyetari digital”, tek “Foltorja”. “Qytetari digital” ishte një mënyrë për të legjitimuar thashethemet dhe denoncimet anonime si të vërteta dhe për t’i kthyer në kapital politik.

Pasi u denoncua vetë dhe familjarisht si hajduti më i madh i Shqipërisë dhe minues i demokracisë, atëhere “Qytetari digital” u zëvendësua me “Foltoren”, e cila është një “Qytetar digital” lëvizës nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë, kundër SHBA.

Njësoj si “Qytetari digital”, “Foltorja” është si ato “llazoret” e lagjes, që nuk lënë njeri pa marrë nëpër gojë. “Foltorja” nuk lë njeri pa shantazhuar nëse është kundër Berishës dhe mbi të gjitha, nuk lë gënjeshtër pa përdorur për qëllimet e “Foltores”.

Vetëm për një gjë ka heshtur “Foltorja”. Ka heshtur për fotografinë e Sali Berishës në shtëpinë e Enver Hoxhës. Nuk ka lënë njeri pa marrë nëpër gojë, ka marrë gjithë denoncimet e “Qytetarit digital” për Edi Ramën dhe ja ka kthyer Lulzim Bashës, e ka bërë hajdut të parave të “Toyata Yaris”, shitës të detit Greqisë më 2009, ka sulmuar njerëzit afër tij, ka sulmuar madje dhe analistët që nuk janë me Berishën, duke u kujtuar se shkojnë në xhami të premteve, ka sulmuar jugorët kur shkon në Tropojë dhe fisin Gashi si besëprerë, kur shkon në Sarandë, ka sulmuar ambasadoren Yuri Kim, sekretarin Blinken dhe “dhëndrin” e Serbisë Matt Palmer (vetë e konsideron se e ka serbe më të fisme gruan e tij), pastaj ka shpikur aleatë anonimë që nuk i tregon, të cilët mund t’i heqin dënimin në SHBA, ngaqë e përfytyron SHBA sikur ka president Prel Martinin… dhe të gjitha këto i bën në salla me njerëz thuajse të rrjedhur, që duket sikur kanë ikur nga spitalet psikiatrike.

Por për të vetmen të vërtetë që ju përplas në fytyrë, për buzëqeshjen e tij deri në ekstazë në krah të Enver Hoxhës, në shtëpinë e tij, nuk foli. Po ta krahasosh me foton ku ka dalë me Xhorxh Bushin, apo udhëheqësit perëndimorë, është ku e ku më larg i entuziasmuar tek fotoja me Enver Hoxhën.

Por për çudi nuk foli asnjë fjalë. E quajti dhe këtë si sulm të Sorosit, por pa ju referuar direkt. Por më e pështirë se heshtja e tij, ishte heshtja e atyre që e mbështesin. Asnjë koment, asnjë deklaratë, asnjë reflektim për një dinosaur të Enver Hoxhës, që kërkon 30 vjet pas rënies së komunizmit të mobilizojë sërisht njerëzit kundër SHBA.

Mjafton heshtja e mbështetësve të tij, për të kuptuar se ata janë një kope e rreshtuar nën urdhërat e një komunisti të rrjedhur, që tenton të imitojë Enver Hoxhën, por në fakt është një kopje e Hysni Milloshit me “Vullnetarët e Enverit”, apo Haxhi Qamilit me “dumbabistët” .

Shikoni ato turma të rrjedhurish që shkojnë pas “Foltores”, që llapin për çdo gjë dhe heshtin për një të vërtetë, për të kuptuar se çdo të thotë të shkosh pas një diktatori të rrënuar tashmë dhe mendërisht.