Pavarësisht temperaturave të ulëta këto ditë dhjetori, punonjësit e ndërmarrjeve të Bashkisë së Tiranës kanë nisur një aksion të gjerë në të dy anët e autostradës Tiranë-Durrës si dhe në rrugën e Rinasit për pastrimin nga mbeturinat.

Edhe pse të konsideruara si porta hyrëse për në kryeqytet, qeset plastike, gomat dhe mbetjet inerte hidhen jo pak herë nga qytetarë apo bizneset e papërgjegjshme duke lënë një pamje jo të mirë për vizitorët si dhe turistët e huaj që përdornin Aeroportin e Rinasit apo Portin e Durrësit.

Qindra punonjës të ndërmarrjeve të pastrimit si dhe mjete pastrimi kanë punuar përgjatë këtyre dy segmenteve të cilat ishin kthyer në një vend grumbullimi për mbetjet duke dëmtuar imazhin e vendit tonë.

Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë disa aksione për pastrimin edhe të rrugëve hyrëse për në kryeqytet duke dhënë një tjetër pamje turistëve të shumtë që po zgjedhin kryeqytetin shqiptar në turin e tyre evropian.