Zëvendësministri i Brendshëm, Julian Hodaj deklaroi sot se Akademia e Sigurisë është zemra e organizatës së Policisë së Shtetit dhe se në të brezat do të mësojnë gjithmonë që t’i shërbejnë ligjit me dinjitet dhe të mbrojnë jetën me nder.
Në ceremoninë e 50-vjetorit të Akademisë së Sigurisë, Hodaj tha se arsimi policor është rruga më efikase me të cilën mund të garantohet edhe cilësia e sigurisë publike.
“Në disa momente të errëta historia ka treguar se kur Akademia ka qenë në ditë jo të mira kjo është reflektuar edhe në formën jo të mirë të organizatës të policisë. Ndaj forcimi dhe përparimi i këtij institucioni kaq të rëndësishëm nuk është vetëm një detyrë që duhet realizuar por është mision. Ndaj dhe është shumë e rëndësishme që ky mision të përmbushet me pasion dhe devotshmëri, si një detyrim në radhë të parë ndaj qytetarëve tanë por edhe ndaj brezave nga të cilët e trashëguam këtë aset të çmuar. Siguria publike është komplekse dhe policia shqiptare përballët me një sërë sfidash, tradicionale dhe të reja, janë shtuar dhe gërshetuar kërcënimet, faktorët dhe aktorët e ndryshëm të krimit që veprojnë në hapësirën tonë. Institucionet më të përparuara perëndimore nga të cilët ne orientohemi për të marrë edhe shembull, këtë situatë sfiduese të sigurisë, nuk mendojnë ta zgjidhin vetëm me shtimin e financimit të infrastrukturës, teknologjisë, apo instrumenteve. Sado e përparuar të jetë teknologjia e përdorur nga një polici përsëri fjalën e fundit për të arritur suksesin e kanë trupat policore, burimet njerëzore në tërësi”, tha Hodaj.
Në këtë pikë, Hodaj theksoi me rëndësi të dorës së parë arsimin dhe trajnimin sa më efikas i punonjësve të policisë.
“Konsolidimi i organizatës nëpërmjet arsimit është e vetmja rrugë që kjo organizatë të ketë qëndrueshmëri, profesionalizëm dhe integritetin e nevojshëm. Një polici e mirëarsimuar dhe e mirëtrajnuar mund të përballojë me sukses sfidat e njëpasnjëshme që i sjell koha”, tha ai.
Sipas Hodaj, rihapja e këtij institucioni pas një mbylljeje disavjeçare tregon pikërisht këtë vizion përparimtar dhe vullnet pozitiv për ta fuqizuar arsimin në tërësinë e vet dhe sidomos në institucionin e vetëm arsimor të sigurisë publike, Akademinë e Sigurisë.
“Vizioni i qeverisë është që të ngrihemi në një nivel të ri, ku Akademia e Sigurisë shndërrohet në një institucion lider të arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor, në përputhje me akademitë e ngjashme evropiane. Është vizion i panegociueshëm për të pasur një akademi, e cila prodhon breza profesionistësh, me integritet. Një Akademi e cila i reziston kohës dhe sfidave, e arrin të transformojë gjithmonë duke e lartësuar organizatën e policisë, në respekt të ligjit, në detyrim ndaj vendit tonë për institucione të forta, në mbrojtje të jetës së qytetarëve, nëpërmjet një shërbimi policor profesionist”, tha ai.