Po i jepen “duart e fundit” skenës së improvizuar ku do të mbahet nesër Kuvendit i Partisë Demokratike, thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha me firmat e delegatëve. Gazetari Artan Hoxha ka siguruar për Abcnews.al pamjet nga stadiumi “Air Albania”. Siç shihet duket se gjithçka është thuajse gati, ku është ngritur skena dhe janë vendosur posterat.
Sakaq, në një mesazh, pasditen e sotme, ish-kryeministri Sali Berisha dha edhe porositë e fundit. Lideri historik i demokratëve teksa e cilësoi si rithemelim të PD-së kuvendin e nesërm në ditëlindjen e partisë, i këshilloi delegatët që të marrin masa duke u veshur trashë, pasi moti është i pafavorshëm.
Ndërkohë, nga ana tjetër linja zyrtare e PD vijon të cilësojë si ilegjitim kuvendin që mblidhet nesër, duke e cilësuar atë si tubim. Sot pasdite Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi konfirmoi se 5259 delegatë kanë firmosur për të marrë pjesë në Kuvendin e datës 18 Dhjetor. Nga ana tjetër Lulzim Basha bëri me dije një tjetër lëvizje për ditën e nesërme. Me anë të një ftese Basha i fton demokratët në orën 12:00 në selinë blu për të kremtuar ditëlindjen e partisë.