Një javë pasi Leo Messi fitoi Topin e Artë, vjen edhe reagimi i Robert Lewandowskit, lojtarit të Bayern të cilin shumë e shikonin si favoritin kryesor për këtë çmim.
Në një intervistë për polaken “Kanale Sportowym”, sulmuesi shpjegoi se çfarë ndjeu kur doli në vend të dytë në votime: “Nuk e mohoj, u trishtova. U ndjeva i pafuqishëm. Isha shumë pranë fitores. Sigurisht që e respektoj Messin dhe atë që ka arritur ai në karrierë. Vetëm fakti që isha në garë me të tregon nivelin që kam arritur unë. Por, u trishtova shumë. Fatmirësisht, nuk kishim ndeshje në mesjavë pas ceremonisë”.
Pasi mori çmimin, Leo Messi i kërkoi revistës “France Football” që Topin e Artë të vitit 2020, që nuk u dha për shkak të pandemisë, t’ia jepte polakut. Por, Lewandowski tha se tani nuk e do më atë vlerësim.
“Do më pëlqente shumë nëse fjalët që tha Messi do të ishin të sinqerta. Por, tani nuk më intereson më Topi i Artë”, tha Lewandowski.