Aktivistja Evi Kokalari është futur në debate në rrjetet sociale me krijuesin e memeve, Genc Sejkon, pasi ky i fundit publikoi një video të sajën kur fliste mirë për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn.

“Ja edhe Evisi, duke masakruar njeriun e George Soros në Tiranë, kryetarin e bashkisë Erion Veliaj.”– shkruante Sejko ndërsa shpërndante videon.

Qarkullimi i kësaj videoje në rrjet, e ka nervozuar shumë Kokalarin, e cila e ka sulmuar me komente Sejkon, por edhe aktiviten Elona Caslli. Ajo i quan ata njerëz falsë.

“Ik or budall qe të duket vetja i zgjuar. Nuk e di pse ju kanë dhënë konservatoret mbeshtetje juve. Jeni totalisht të mbaruar, dhe ketu fus dhe Elona Casllin. Qofshi mire se me pikepamjet e mia politike, s’do mund të krahasoheni kurre. Te dy jeni FAKE.”- shkruan Kokalari.

Të dy, si Sejko dhe Caslli, i janë përgjigjur Kokalarit me komente. I pari e quan Kokalarin dyfytyrëshe.

“Unë e di që nuk jam i zgjuar. Edhe pse thonë se ‘aftësia për të kuptuar që nuk je i zgjuar është zgjuarsi në vete’.

Nuk kam pretenduar kurrë mbështetjen e askujt e as nuk kam pritur të përfitoj diçka nga aktivizmi im.

Evis! Nuk është faji i pasqyrës se reflekton dyftyrësinë tënde e aq më shumë i imi që ta vura përballë.

Sa për Elona Casllin. Evis! Sikur të jetosh dhjetë jetë, nuk do arrish të bësh dot atë që Caslli e ka bërë në një.

Suksese në detyrën e re që të është caktuar! Mjer atdheu në duart të kujt ka rënë!”– shkruan Sejko.

Ndërsa Caslli nga ana tjetër shprehet se ka të drejtë të habitet nga një qëndrim që nuk e njihte më parë, por duke iu referuar qëndrimit të Kokalarit shton se nuk mund të hidhet baltë mbi persona që nuk i ke njohur kurrë më parë.

“Evi Kokalari une kam te drejten kushtetuese te habitem nga një qëndrim që nuk e njihja më parë. Kete te drejte ma jep kushtetuta e vendit tim dhe nuk pres te ma certifikoje nje njeri qe as nuk me njeh dhe as nuk e njoh, sikunder po i njëjti individ ka të drejtën të ndryshojë mendim për kryebashkiakun, por duke e bere si refleksion publik, për sa kohë është shprehur publikisht për këtë të fundit.

Dhe ky refleksion nuk mund të vijë duke hedhur baltë dhe duke fyer persona që nuk i ka njohur kurrë. Jo zonjë! Kjo mund të jetë gjithçka veçse konservatorizëm nuk është.”- shkruan Caslli. Në një tjetër reagim në faqen e saj, Caslli e fton Kokalarin që të gjejë qoftë edhe një koment baltosës nga ana e saj.