Parlamenti izraelit po kufizon aktivitetet e tij dhe po e zhvillon punën në distancë për shkak të shqetësimit rreth përhapjes së variantit të ri Omicron, deklaroi sot një zëdhënës i legjislaturës.
Disa ligjvënës kanë hyrë në karantinë javët e fundit pasi kanë qënë në kontakt me persona të infektuar.
Media izraelite raportoi sot se, nëntë të tjerë ishin dërguar në izolim pasi kishin qënë në kontakt me një gazetar i cili më vonë rezultoi pozitiv.
Zëdhënësi i Knesset tha se, shumica e punës në legjislaturë do të bëhet përmes platformave online, por detajet e marrëveshjes së re ishin ende duke u diskutuar.
Kryeministri Naftali Bennett paralajmëroi izraelitët që të përgatiten për një valë të pestë të ardhshme të pandemisë.
“Omicron ka depërtuar tashmë në vend, që do të thotë se tashmë ka infeksione në publik. Po shohim gjithashtu një rritje të numrit bazë të riprodhimit”, tha ai në një mbledhje të kabinetit të dielën.