Klopp thotë se Liverpooli s’do ta blejë asnjë lojtar të pavaksinuar në janar

Jurgen Klopp ka thënë se Liverpooli nuk do ta marrë parasysh blerjen e asnjë lojtari i cili nuk është i vaksinuar, duke këmbëngulur se ata përbëjnë rrezik të vazhdueshëm ndaj lojtarëve të tjerë në klub.

Pandemia e koronavirusit e ka çrregulluar dukshëm kalendarin e futbollit në dy vitet e fundit dhe autoritetet janë detyruar të fusin rregulla të rrepta të testimit në përpjekje për ta kufizuar përhapjen e virusit.

Rastet me Covid-19 në Premierligë e shënuan rritjen më të madhe deri tani në javët e fundit për shkak të shfaqjes së variantit të ri, Omicron, duke bërë që shumë ndeshje të anuloheshin.

Klopp ka dalë tani hapur për ta theksuar rëndësinë e madhe që ka marrja e vaksinës kundër Covid-19.

Trajneri i Liverpoolit la të kuptohej se klubi nuk do ta sjellë në skuadër asnjë futbollist të pavaksinuar gjatë afatit kalimtar të janarit.

“Mendoj se do të ketë ndikim, patjetër, se kë e transferon klubi”, tha Klopp para ndeshjes kundër Tottenhamit të dielën.

“Nëse një futbollist nuk është i vaksinuar me asnjë dozë, ai përbën kërcënim të vazhdueshëm ndaj të gjithë neve”, shtoi Klopp.

Rreth 68 për qind të lojtarëve në Premierligë janë të vaksinuar me dy doza, ndërsa një përqindje tjetër goxha e lartë thuhet të jenë deklaruar kundër marrjes së vaksinës.