Sulmuesi francez i Manchester United Anthony Martial dëshiron të largohet nga “Old Trafford” në afatin kalimtar të transferimeve në janar, dhe lajmin e ka konfirmuar vetë agjenti i lojtarit.

Martial si duket nuk është i lumtur me minutazhën e lojës që e ka pasur në këtë sezon, dhe tani është duke konsideruar opsione të tjera para se të hapet ky afat i transferimeve më 1 janar, raporton “Sky Sports”.

Respektivisht, në sezonin 2021/22 në të gjitha garat për Manchester United, Martial ka arritur të bëjë 10 paraqitje për gjigandin anglez, duke regjistruar vetëm një gol mbi emrin e tij.

Tani, Philippe Lamboley i cili është agjenti i Martial ka treguar se klienti i tij dëshiron që sa më parë të largohet nga United.

“Anthony dëshiron që të largohet nga klubi në muajin janar. Ai dëshiron që vetëm të luajë. Ai nuk dëshiron që të qëndrojë në janar, dhe unë do të flas së shpejti me klubin”, tha Lamboley.

Momentalisht, Martial është zgjedhja e pestë e trajnerit në repartin e sulmuit, ku para tij gjenden Mason Greenwood, Marcus Rashford, Cristiano Ronaldo dhe Jadon Sancho.

Raportohet se skuadra e cila ka shprehur interesim serioz për të siguruar shërbimet e sulmuesit francez është gjigandi katalunas Barcelona, e cila me lëndimin e Depay, dhe problemet me zemër të Agueros, dëshiron që sa më shpejtë të zgjidhë problemin e repartit të sulmit.