Kryeministri Rama mori pjesë në ceremoninë e përurimit të shtëpive të reja të ndërtuara në Lezhë, si pjesë e procesit të rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019. Në lagjen e re në Lezhë u dhanë çelësat për 97 familje, për të cilat kryeministri tha se janë më të forta e më të mira se ato që kishin përpara.
Rama iu referua edhe atyre pak familjeve që rrijnë ende në çadra si dhe familjeve në zonat e tjera të prekura nga tërmeti të cilët presin të futen në shtëpi, duke theksuar se duhet të bëjnë ende edhe pak durim dhe se ndërkohë do të vijojnë të mbështeten me bonuset e qirasë nga qeveria.
“Më vjen shumë mirë sepse këtu jo vetëm janë bërë gati 97 apartamente, por 95 banesa më të mira, më të bukura, më të forta. Qëllimi ishte që të ringrihemi më të fortë, ajo që nuk të vret të bën më të fortë thotë një fjalë e mençur.
Me kujtimin gjithmonë me dhimbje të humbjeve tragjike të jetëve, që nuk kemi asnjë mundësi t’i kthejmë, sot ne po i kthejmë pjesë-pjesë të gjitha familjet në shtëpi, pas një periudhe të vështirë ku jemi munduar t’ju qëndrojmë pranë, mos t’ju lëmë vetëm, t’ju mbështesim me bonuset e qirave, por sidoqoftë sado mbështetje dhe sado që familjet në çadra ishin një numër i kufizuar që në fillim, e sot janë rreth 100 familje në çadra, të cilët qëndrojnë aty për arsyet e tyre, edhe pse e marrin bonusin e qirasë” tha Rama duke shtuar se puna me rindërtimin përbën një tjetër dallim mes tyre dhe politikanëve të tjerë.
“Jam shumë i lumtur kur shoh këtu nëna që janë gjyshe, fëmiljë të vegjë, gjyshër, prindër që do t’i thonë gëzuar njëri-tjetrit në një shtëpi të re dhe mbase do mendojnë që kushedi kjo politika dhe këta politikanët nuk janë të gjithë njësoj. Sigurisht ne nuk jemi më të mirët e mundshëm, por më të mirë se ne harrojeni se do shihni.
Një gjë për të gjithë ata që në ndjekin, për ata në Durrës e në Tiranë, që presin të kthehen në shtëpi, por që do të kthehen në lagje të tëra të ndërtuara, dua t’i them se absolutisht asgjë nga ato që kemi thënë nuk është harruar. Gjithçka që kam thënë do të jetë ashtu siç e kam thënë dhe nganjëherë zotimet nuk arrihen dot të mbahen aq shpejt sa ti do kur i bën ato, por kurrë të mos mendojë askush që unë i them fjalët për të kaluar rradhën apo i bëj premtimet për të marrë votat e pastaj për të kthyer kurrizin”.
Kryeministri Rama shpjegoi efektin që kishte pandemia tek procesi i rindërtimit, duke kujtuar se ndalesat e detyruara nga virusi ishin globale, por për qeverinë prioriteti i rindërtimit të banesave dhe ndërtesave të tjera të dëmtuara nuk ndryshoi, madje në Shqipëri sipas tij ky proces po ecën shumë më shpejt edhe se në vende të tjera të zhvilluara, si Italia fqinje.
“Nëse disa gjëra nuk arrihen të bëhen dot në kohën e premtuar, kjo vjen për arsye objektive, mos harroni që nga tërmeti deri sot ne patëm në mes një tjetër ngjarje të jashtëzakonshme, fatkeqësi të madhe që e ndeshi dhe vazhdon sot ta ketë në kurriz e gjithë bota, pandeminë. U shtynë afate, u zgjat koha.
Megjithatë, duke qenë se ju lezhjanët keni shumë lidhje me Itali dhe jo rastësisht keni dhe kuzhinën më të mirë në Shqipëri se janë shumë që e marrin zanatin në Itali dhe vijnë e ushtrojnë këtu, e dini shumë mirë që sot një vend që është fuqia e 5 ekonomike e botës, ka akoma familje nëpër kabina në pritje të shtëpive prej 12 vjetësh, prej 10 vjetësh e prej 8 vjetësh”.
Kryeministri e mbylli fjalën e tij, duke thënë se për të, këto 97 famijle janë një shqetësim më pak që i rrinte në mendje deri sa të përfundonte përgatitja e shtëpive të tyre të reja, më të mira e më të forta se ato që kishin.
“Më besoni që nuk ka kaluar dhe nuk kalon 1 ditë që unë të mos mendoj për ata që presin të hyjnë në shtëpi. Me këtë rast, sot janë 97 familje më pak në mendimet e mia nesër. Ju hytë kështu që nesër jeni 97 më pak.
Janë 1 mijë e disa qindra familje të tjera që do të vazhdojnë të hyjnë deri për vitin e ri e siç e kemi premtuar, me ndihmën e zotit e mos na ndodhtë më gjë tjetër, se këtu nuk po merren vesh tani me pandemira e tërmete por nuk ma ha mendja që të gjitha të kenë mbetur për ne.
Ne brenda vitit të ardhshëm do ti kemi të gjitha familjet nëpër shtëpia e gjurmët e tërmetit do të jenë vetëm gjurmë në kujtesë ndërkohë që kujtesa e tërmetit nuk do jetë më në rrënoja por do jetë gjithë ky realitet i transformuar për të gjithë ata që në momentin kur e humbën çatinë brenda pak sekondash, jam i bindur që janë ndjerë më vetëm se kurrë e kanë menduar se kurrë më nuk do të mund të kenë shtëpinë e tyre.
Jo vetëm që do ta kenë shtëpinë e tyre siç e kanë pro do ta kenë shumë më të mirë se ajo që kishin, shumë më të bukur se ajo që kishin, shumë më të fortë se ajo që kishin|.