Nga Artur Ajazi/
Sali Berisha iku, dhe bëri një premtim në 2013, “po iki në punën dhe jetën time”, edhe pse kjo nuk ndryshonte asgjë, pasi deklaroi se “do të mbetem demokrat”. Ai u largua pasi lexoi një dorëheqje “bese”, pranoi humbjen me mbi 1 milion vota, pranoi se “humba zgjedhjet e lira dhe të ndershme”. Por ditët kaluan, dhe Doktori u vendos jo në “kullën e tij” por në selinë blu, duke marrë zyrë, sekretare, roje, dhe ç’i ka dashur zemra.
Sali Berisha edhe pse iku, nuk u largua asnjë minutë nga “prona” nga kuvlia e tij, të cilën sa ishte kryeministër ja kopsiti letrat dhe i bëri hipotekimin Partisë Demokratike. Ai nuk e kupton dot jetën, ditën, natën, dhe çdo proces tjetër njerëzor, pa patur në dorën e tij partinë, pa patur nën hyqmin e tij, çdo lëvizje dhe vendim të asaj force politike. Vendimi i DASH për “non-grata” ishte si një rrufe fatale në qiellin e pastër të Sali Berishës. Ai nuk e priste, ai u befasua, ai u trishtua, nisi të bënte debate dhe beteja me fantazmat e kohëve të kishte lënë pas. Nisi të dyshonte, dhe ndoshta e kishte humbur toruan deri në momentin kur “dikush e riaktivizoi”, dhe i tha “ngreu, çfarë bën, ke forca akoma të katranosësh gjithçka”.
Vendimin e DASH, asnjëherë Sali Berisha nuk e mori si shpagim për gjithçka ka bërë, nuk e mori seriozisht, dhe nuk u mendua gjatë për të vendosur në kohë paqen dhe pjekurinë mbi zemëratën dhe nxitimin e ligësisë. Ai preferoi të dytën. Dikush e nxiti, e riaktivizoi, dhe tashmë ai është në startin e duhur. Ai kërkon të shkaktojë dhe ndjellë trazirë, fillimisht ndaj të vetëve, ndaj atyre që i kanë zaptuar (sipas tij) partinë që e lindi dhe rriti ai, dhe pastaj duke e shtrirë “llavën e keqe” edhe jashtë mureve të SHQUP-it. Duke gjetur burimin, dhe duke ndjekur rizgjimin e zemërimit të tij, do të gjejmë patjetër,se kush e riaktivizoi ethshëm pikërisht tani Sali Berishën.
Dhe pikërisht tani, kur vendi po bën hapat e fundit për të hapur me sukses negociatat me Bashkimin Europian, dhe pikërisht tani kur janë gati banesat e reja për të pastrehët e tërmetit, dhe pikërisht tani kur vendi po bëhet gati të presë investimet gjigande, kur kanë nisur të zbatohen projekte madhore në infrastrukturë, energjitikë, turizëm, etj.. Kush e riaktivizoi Sali Berishën pikërisht tani kur qeveria, specialistët e fushës, dhe vetë Edi Rama po u kërkojnë shqiptarëve “vaksinohuni, merrni dozën e tretë, kujdes me masat anticovid”, ndërkohë që ai mbledh 4-5 mijë vetë njëherësh në stadium. Kush e ka riaktivizuar Sali Berishën, pikërisht tani kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po intensifikikojnë përpjekjet e tyre për investuar në Shqipëri, për të nxitur BE-në të çelë sa më parë negociatat me aleatin e tyre kryesor në Ballkanin Perëndimor.
Këto hamendësime dhe pikëpyetje, duhet të mos na habisin për njeriun që i dihen “bëmat me turmat e tij paqësore”, si i ka nxitur në kohë dhe momente të vështira për vehten e tij.Riaktivizimi i Berishës, bëhet pikërisht në “vendin e duhur” por në kohën e gabuar. Tashmë hapin e parë e ka hedhur, ndërsa hapin e tjerë, pritet ti hedhë ditët e ardhshme,sapo të nxjerrë me komisionet e tij “rezultatet e referendumit” të 18 Dhjetorit.