Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi sot para komisionit të Edukimit dhe Mjetet e Informimit Publik foli për masat e marra për zhvillimin sa më normal të vitit akademik 2021-2022.

Duke folur rreth procesit të vaksinimit në universitete ajo tha se nisur nga kërkesat e vazhdueshme që mësimi të zhvillohej në auditorë, u vendos që viti i ri akademik 2021-2022 të fillojë me prezencë fizike, por sipas Komitetit Teknik të Ekspertëve, për pjesëmarrjen e studentëve ishte i domosdoshëm vaksinimi apo testi PCR.

Me kërkesën e vetë universiteteve, java e parë e vitit akademik u shpall “Java e Vaksinimit Masiv” dhe stafet e vaksinimit u vendosën në mjediset universitare të të gjitha universiteteve.

“Angazhimi ynë si ministri ka qenë i fokusuar kryesisht tek ndërgjegjësimi i studentëve për rëndësinë e vaksinimit më qëllim jo vetëm ruajtjen e shëndetit të tyre, por edhe mbajtjen e auditoreve të hapura dhe zhvillimin normal të të gjitha proceseve universitare”, u shpreh Ministrja Kushi.

Ajo shtoi se në planin Kombëtar të Vaksinimit ndaj Covid 19, qeveria i konsideroi mësuesit dhe pedagogët si “punonjës të shërbimeve kritike për shoqërinë” duke e përcaktuar me prioritet vaksinimin e tyre. Procesi i vaksinimit të pedagogëve dhe mësuesve filloi në muajin Mars dhe sot i kemi pothuajse të gjithë pedagogët të vaksinuar.