Kina kritikoi ashpër vendet që i janë bashkuar bojkotit diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit dhe theksoi se shumë personalitete nuk do të ftoheshin gjithsesi.
SHBA njoftoi të hënën se asnjë zyrtar nuk do të shkonte në këto lojëra për të protestuar ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut nga ana e Kinës.
Australia, Britania e Madhe dhe Kanadaja i janë bashkuar kësaj nisme, megjithëse atletë nga disa vende do të vazhdojnë të marrin pjesë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin deklaroi se ”të katër vendet do të paguajnë një çmim për lëvizjet e tyre të këqija”.
”Përdorimi i Olimpiadës është një manipulim politik. Dëshiroj të theksoj se Kina nuk ka ftuar asnjë nga vendet e interesuara”, shtoi ai.
Zelanda e Re deklaroi gjithashtu se nuk do të dërgojë diplomatë në aktivitet.
Do të mungojë gjithashtu edhe presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier.
”Presidenti rus Vladimir Putin është ftuar dhe do të shkojë”, sipas burimeve qeveritare ruse.
Kina është kritikuar për shkelje të dyshuara të të drejtave të njeriut në trajtimin e ujgurëve dhe tibetianëve, për shtypjen e lëvizjes demokratike në Hong Kong dhe për kërcënime ndaj Tajvanit.