Nikoll Lesi iu ka bërë thirrje demokratëve të mos e nxjerrin me dhunë nga selia Lulzim Bashën, pasi sipas tij, do e kthenin atë në hero.
“Lulzim Basha e ka të humbur betejën për drejtimin e PD-së ose më saktë të shumicës dërmuese të demokratëve. Kjo duket nga Foltorja, por edhe në sondazhe të pavarura, ku ish-kryeministri Berisha ka mbi 90 % të elektoratit të PD-së.
Këtë e di mjaft mirë Basha dhe ata që e mbështesin.
Lëvizja e Berishës ishte nga halli, por solli shkundje në PD, ngritje të entuziazmit që kishte shkuar në fund të këmbëve për çdo opozitar, si dhe tension e frikë në qeverinë e zotit Rama.
Të gjithë e dijnë se protestat e pritshme organizuar nga Sali Berisha nuk do jenë marshim me “lule”, por përballje e fortë. Nëse zbret në shesh edhe Ilir Meta atëhere beteja do jetë epokale mes qeverisë dhe dyshes Berisha-Meta.
E në këtë histori përplasjesh në PD, Basha ka humbur legjimitetin, elektorati e ka braktisur por ai lutet të ketë një dhunim nga demokratët e Berishës ndaj tij, mundësisht te selia blu. E do Basha një dhunim live në media që ta përdor tek ndërkombëtarët dhe publiku se “këta të Saliut me rrahën në zyrën time si kryetar PD!”.
E do duke ikur nga selia blu që ta ketë si “dekoratë” këtë dhunim.
Në të vertetë kjo mund të ndodhë, ndonëse nuk duhet të ndodhë!
Ndaj mos ia jepni këtë kënaqësi Lulzim Bashës që të ikë i dhunuar fizikisht nga PD.
Le të harrohet emri i tij në PD, siç bëri ai në këto 8 vite që PD-ja të sfumohet dhe tjetërsohet.
Mos e dhunoni!
Lëreni të mbahet mend si një djalë bukurosh që hyri e doli nga selia blu si hije që nuk la histori.
Nëse e rrahin apo nxjerrin me përdhunë nga selia pas datës 11 dhjetor, ai bëhet “hero” dite, aq me tepër që të gjithë e urojnë; që nga kryeministri, ambasadorët, ai vetë, por edhe vetë prej Gazmend Bardhit, i cili uron që nuk u morën me të demokratët e “zonës së zjarrit”, të cilët do jenë me 12 dhjetor të zyrat e PD-së”, shkruan gazeta e Lesit./ Tema