Nga Nevila Perndoj
Njeriu që hyri në PD për herë të parë në 2004, para se t’i paraprinte rolit në ngjitje, kishte një emër krejt të zakonshëm, Lulzim Basha.
Por profili që iu shtrua “në tavë” fillimisht medias dhe më pas demokratëve mori një rol të pazakontë. Njeriu që kish punuar ngushtë me të bijën dhe dhëndrrin e tij në Kosovë, të cilit i interesonte më shumë mirësjellja sesa sinqeriteti, do të zgjidhej deputet dhe më pas tre herë ministër dhe kryebashkiak në kohën e Sali Berishës në pushtet, korifeu i të gjitha aksioneve politike dhe qeverisëse që zhvilluan bashkë, përfshi ato tre me kyçet dhe më të diskutuarat që i përkasin tre periudhave kur Basha mori dikastere të ndryshme drejtimi, fillimisht si Ministër i Transporteve, më pas i Jashtëm dhe ministër i Brendshëm.
Janë tre të vërtetat që mbeten ende mes tyre, në kohën më të vështirë për PD-në me protagonistë ata të dy, njëri si ‘krijuesi” që po turpërohet para “veprës” së tij dhe tjetri djali “plangprishës” që sot pas 17 vjet bashkëpunimi të ngushtë me të “atin politik” po pretendon se sot ai është biri i “lirisë”, se nuk i është dhuruar asgjë në ngjitjen e tij politike, por vetëm “luftë”…
Sali Berisha dhe Lulzim Basha janë përfshirë në akuza të ndërsjellta, një panoramë që nuk përligj buzëqeshjen dhe përqafimet mes tyre vetëm pak muaj më parë.
Shumëkujt mund t’i duket se mes tyre po hapen “petët”, por askush nuk po merr sot përgjigje mbi rolin e secilit në tre etapat polemizuese (hiq Gërdecin më të tjerë ministra përgjegjës) në qeverisjen e PD me protagonistë Berishën kryeministër dhe Bashën ministër.
Secili prej tyre sot po i çojnë debatet tutje (jashtë kësaj marrëdhënie kohe) ose kur Basha nuk kishte hyrë ende në PD, duke kujtuar se ai ka misionin të “shporrë” nga PD-ja mentalitetin komunist, se ai nuk vjen nga Partia e Punës, se nuk është imazhi i vitit ’97 dhe se gabime dhe korrupsion ka pasur edhe gjatë qeverisjes së PD-së, dhe tjetri që po përpiqet të ngulisë se Bashën e ka njohur shumë më herët se kur punonte në Kosovë me të bijën dhe dhëndrin Jamarbër Malltezi, kur ishte ende “me pantallona të shkurtra”, për të kaluar tek koha e opozitarizmit të Bashës, duke i valvitur dy dosje atë “Muzin” dhe “Toyota Yaris”
Ka vetëm një fjali për 21 Janarin nga Basha pak ditë më parë dhe që në emisionin “Open” të enjten mbrëma iu shmang duke sqaruar më shumë atë që kish thënë, dhe po aq shkurt reagim edhe nga Berisha në anën tjetër në emisionin “Opinion”.
“…Kam qëndruar në zyrë. Se ku ka qëndruar Lulzim Basha nuk e di. Çfarë kam dit unë e kam thënë…”, tha ndër radhë ish-kryeministri.
E vërteta e parë; afera Durrës-Kukës
Në detyrën e ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, do të shtypte bashkë me Sali Berishën butonin që simbolizonte fillimin e ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës, e bashkë me të edhe akuzën më të madhe që opozita socialiste do të adresonte ndaj qeverisë “Berisha” se shkelja e procedurave gjatë ndërtimit të rrugës së Kombit i kish shkaktuar një dëm shtetit shqiptar prej 230 milionë eurosh.
Prokuroria hapi hetimet që përfunduan në Gjykatën e Lartë, me të pandehur Lulzim Bashën.
Një zinxhir i gjatë, që përfshiu Bashën vetëm me një dëshmi rreth kësaj çështje në organin e akuzës.
Përmes interpretimesh juridike, Gjykata e Lartë e pushoi çështjen me procedurë.
Në gjithë atë debat, ai që mori përsipër të mbronte publikisht Lulzim Bashën ishte Sali Berisha.
Për ish-kryeministrin, Basha kishte “zero implikim personal”, pasi çdo gjë, sipas tij “ishte vendim kolegjial i Këshillit të Ministrave”.
“Nëse dikush mendon se mund të shkruajë të drejtën dhe ligjet e këtij vendi, do t’i bëjmë të qartë që këtë gjë nuk mund ta bëjë dot”, i tha Berisha, Ina Ramës asokohe Prokurore e Përgjithshme.
E vërteta e dytë; Marrëveshja e Detit
E vërteta e dytë mes tyre shtrihet dy vite me vonë, kur Lulzim Basha është rehatuar me firmën e Sali Berishës në një tjetër detyrë, atë të ministrit të Punëve të Jashtme.
Në prill të vitit 2009, Lulzim Basha bashkë me homologen e tij greke Dora Bakojanis firmosin një marrëveshje pompoze në Tiranë atë “Për delimitimin e zonave përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare”, thënë më shkoqur marrëveshjen e Detit nën ngazëllimin e Sali Berishës dhe kryeministrit asokohe të Greqisë, Kostas Karamanlis.
Pak kush kuptoi mbi marrëveshjen e asaj dite për të cilën nuk ishte në dijeni as vetë Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili duhet të autorizonte edhe grupin negociator për bisedimet.
Opozita socialiste ankimoi paktin në Kushtetuese me argumentin se askujt nuk i jepej e drejta e tjetërsimit të pjesëve përbërëse territoriale të vendit, qoftë edhe në hapësira detare.
Gjatë një beteje thuajse një vjeçare në Kushtetuese, Berisha angazhoi gjithë qeverinë për të mbrojtur paktin detar, duke filluar nga Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, Ministri i Jashtëm (që gjatë seancave në Kushtetuese) ishte Ilir Meta e deri tek Kryeparlamentarja Jozefina Topalli.
Marrëveshja u rrëzua nga Kushtetuesja në janar të vitit 2010 bazuar mbi katër argumente që në thelb, sipas saj, shkonin në dem të interesave të vendit.
Një vit pas marrjes së mandatit të parë nga Edi Rama, çështja e paktit detar u hap sërish.
Ish-ministri i kohës, Ditmir Bushati kërkoi që prokuroria të hetonte nënshkruesit e marrëveshjes së kufirit detar me Greqinë. Pra Lulzim Bashën.
Ky i fundit që nuk kish ngrohur ende karrigen si kryetar i PD-së nuk foli. Por Sali Berisha po.
Sipas tij, ky ishte sulm politik që kreu i qeverisë po bënte ndaj liderit të opozitës, Lulzim Basha.
Ai akuzoi jo vetëm Edi Ramën, por edhe Ditmir Bushatin duke ngatërruar në këtë mesele edhe faktin se sipas tij Bushati po përpiqej që të sfumonte me këtë aksion politik “emërimet abuzive të tij nëpër ambasada jashtë vendit”.
Paralelisht, Berisha do të akuzonte ashpër edhe grupin e ri negociator me emra konkret, duke aluduar se pala “e re” po shiste detin.
Në heshtje të plotë nga Lulzim Basha, Berisha do të shprehej gjithashtu se me paktin e ri po firmosej “akti i tradhtisë kombëtare”
Por as akt nuk u nënshkrua, dhe as padi nuk u çua.
E gjitha mbeti në kufijtë e akuzave reciproke, më palë sërish Berishën nga njëra anë dhe Ramën e Bushatin nga ana tjetër.
Për të kaluar tek e vërteta tjetër, ajo e treta (gjatë qeverisjes) e Lulzim Bashës me Sali Berishën, ajo që ka lënë më shumë shenjë, protesta e 21 janarit.
E vërteta e tretë; 21 Janari
Në protestën e 21 janarit ku u përfshinë protagonistët kryesorë të politikës, u vranë katër persona.
PS deklaronte atëbotë se 21 janari ishte shpërthimi i zemërimit të shqiptarëve për videon Meta-Prifti, ndërsa akuzonte për krim shtetëror Sali Berishën.
Atë ditë, Lulzim Basha mbante një tjetër detyrë, atë të ministrit të Brendshëm.
Sërish Berisha (në cilësinë e kryeministrit) bazuar në një zinxhir ngjarjesh të mëvonshme do të mbante barrën protagonistit por edhe akuzuesit kur etiketonte radhë njerëzish për “puç shteti”.
Roli i Lulzim Bashës në këtë histori do të shfaqej vetëm më vonë në disa dokumente të botuara në media, të cilat Saimir Tahiri si ish-ministër i Brendshëm do t’i përdorte për t’i çuar në gjykatë ndaj tij.
Me pak fjalë, Basha do të akuzohej se kishte ndërhyrë në përmbajtjen e urdhrave dhe në regjistrat e Gardës së Republikës, duke deformuar dhe ndryshuar kuptimin e termave, me qëllim për t’i shpëtuar përgjegjësisë ligjore.
Saimir Tahiri do ta shfrytëzonte këtë dokumentacion (bashkëngjitur edhe një urdhër i brendshëm i SHKB-së në kohën e Berishës) për të thënë se Basha kish dhënë një urdhër haptazi të kundra-ligjshëm, me argumentin se drejtimi operacional nuk mund të ishte kompetencë e një ministri.
Basha (tashmë kryetar i PD) e kaloi debatin me një qëndrim të thatë se ato që dilnin nga goja e kundërshtarit ishin thjesht “shpifje dhe akuza të lodhura”, por ai që nuk kurseu sërish ishte Sali Berisha.
Ai i cilësoi deklaratat e Tahirit si “skenar filmi i sigurimit të shtetit” me qëllim anatemimin e Bashës si kryetar i PD-së.
Çështja nuk mori drejtim konkret dhe akuzat reciproke i mori era me kalimin e kohës, edhe pse dokumente me firma e vula dolën.
Për të vërtetën mes të dyve rreth kësaj ngjarje vetëm ish-Presidenti, Bamir Topi, mundi të zbardhë pak.
Pasi Prokuroria nxori një urdhër ndalimi për disa drejtues të Gardës, të përfshirë drejtpërdrejtë në ngjarjen e 21 janarit, Berisha kundërshtoi ashpër, duke çuar “emisarin” e tij për zgjidhjen e konfliktit në Presidencë.
“Erdha të them edhe në emër të kryeministrit të ndërhyni të Prokurorja e Përgjithshme për t’u tërhequr nga kjo iniciativë! – tha Luli (Basha) duke mbyllur kërkesën e tij.
…Në fund, para se të ndaheshim, duke dashur të ruaj një komunikim me njerëzor, ndoshta i dhashë një këshillë të panevojshme.
–Shiko letrat e tua nëse i ke në rregull se kjo punë parashikon se do të shkojë jo mirë…”, rrëfen Bamir Topi në librin e tij me kujtime, me titull ‘Nocturn”.
Por vetëm pak muaj pas 21 janarit, për Lulzim Bashën do të fillonte një tjetër “epokë” dhe, ndryshe nga sa kish parashikuar Bamir Topi, do të ishte krejt e mirë për të, ajo e garës për kryebashkiakun e Tiranës, një garë e fortë me Edi Ramën, në procesin e të cilës edhe pse Berisha pak u duk publikisht, ai ishte njeriu hije në organizimin e gjithë fushatës.
Berisha angazhoi të gjithë resurset e Partisë Demokratike ndër vite në një koordinim perfekt me LSI-në që drejtohej nga Ilir Meta të cilit Berisha më herët i kishte dalë “garant” në padinë e ngritur ndaj Metës në Gjykatën e Lartë, po për 21 Janarin.
Kish ardhur koha e shpërblimit nga Meta për Berishën, për të çuar në bashkinë e Tiranës, atë, të besuarin e tij, Lulzim Basha…
…Në ditën më të vështirë të jetës së tij politike pa Sali Berishën në krah, Lulzim Basha u rrek të prekte krejt papritur dhe habitshëm 21 janarin në një konferencë për shtyp duke e paralelizuar atë ngjarje me situatën që Berisha krijoi të hënën kur hyri në PD bashkë me komisionin e Rithemelimit.
Basha do ta prekte për herë të parë këtë temë, duke lëshuar më shumë një tymnajë.
…Një ditë para të shtunës, kur të dy ata do të jenë para provës së vështirë njëri duke mbledhur një Kuvend të sforcuar me delegatë e tjetri duke e “pushkatuar” publikisht përmes një votimi nga baza në një proces krejt të diskutueshëm si për njërën palë ashtu edhe për tjetrën, Sali Berisha dhe Lulzim Basha nuk i kanë thënë ende të vërtetat e tyre, ato që në fakt do të paracaktonin jo vetëm fatin politik të secilit prej tyre, por edhe të ardhmen e PD-së.
Ajo që do të shohim nga nesër do të jetë një film me pelikul të prishur sërish me ata të dy protagonistë…
Do të sjellim ndërmend “filmin” me titrim “times goes on” që Sali Berisha aq fort kish qejf ta përcillte në anglisht për Lulzim Bashën si kryetar i PD qysh kur ky i fundit mënjanoi bashkëpunëtorët e tij, Topalli, Patozi e Bregu, e deri tek kënga e fundit në Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit, e grupit të famshëm “Europe” me titrim tjetër tashmë; “It’s the final countdown”, numërimi final… Për njërin apo për tjetrin?.
Ata që mbeten sërish të pasqaruar si një foltore ku nuk janë rrëfyer ende as Basha dhe as Berisha janë demokratët.(SI)