E gjitha nisi në një rrugicë të Stambollit, në vitin 1991. Adi Alivoda, elektricist i mbetur pa punë, kishte shkuar me babain të nisnin tregtinë e rrobave turke. Në një rrugicë, një zotëri i moshuar, ndryshoi fatin e familjes Alivoda.
Burri që shiste makineri akulloreje, bëri që pasioni i familjes për traditën e ëmbël shkodrane të kthehej në biznes. Tani nuk ka njeri në Shkodër që nuk e njeh mjeshtër Adin, të pastiçeri “Eagle” që përgatit trungun më të mirë në qytet, ëmbëlsirën tradicionale, që kush është rritur para viteve ‘90 në atë qytet nuk ka si të mos e kujtojë.
“Trungu është ëmbëlsirë që i takon periudhës socialiste”,-tregon mjeshtër Adi.
“Kjo traditë ka nisur rreth vitit 1955 dhe është trashëguar deri më tani. Në Shkodër si në çdo qytet tjetër ishte punishte e ëmbëlsirave, aty ku prodhoheshin ëmbëlsirat për të gjithë qytetin. Mjeshtri që punonte atje, mjeshtër Filipi, i cili nuk jeton më, ka qenë shumë novator dhe ka pasur gjithnjë pasionin për të sjellë receta të reja. Pas rënies së sistemit, punishtet u mbyllën dhe na mungonin ëmbëlsirat e tij. Ende ndihem i emocionuar kur e kujtoj atë rrugicë të Stambollit, që ndryshoi jetën time.
Burri tha: “Me këtë makinë akullore kam mbajtur fëmijët, po ata tani janë rritur dhe mua më duhet që këtë ta shes. Duhet ta shes biznesin dhe të gjitha.”
Fat ishte që ne kaluam në atë rrugë. Madje ne nuk kishim as lekët e mjaftueshme me vete për ta blerë dhe i lamë kapar. Pasi erdhëm në Shqipëri ne mblodhëm lekët për ta blerë atë makineri. Në vitin 1991 ajo kushtonte 2200 dollarë, ishte një vlerë e madhe për atë kohë. Vetëm pasioni për ëmbëlsirat, na shtyu për ta blerë. Pas viteve ‘90 në Shqipëri mungonin ëmbëltoret dhe ishte një mundësi e mirë për të punuar. Fillimisht mjeshtër Filipi ishte ai që erdhi dhe na ndihmoi në fillimet tona, pas tij ishte Mark Poja. Mark Poja ishte po ashtu mjeshtër në prodhimin e ëmbëlsirës së trungut. Tani trungu është prezent në çdo moment në dyqanin tonë. E porosit shumëkush në Shkodër, por edhe me shumë shkodranët që jetojnë në Tiranë. Se ata kanë mall për Shkodrën dhe fëmijërinë.”
Se tradita që kthehet në markë ka ëmbëlsi dhe kujtime, ka trashëgimi dhe pasion. Dhe mbi të gjitha është biznes që trashëgohet, si do e trashëgojë nga i ati, vajza e familjes që studion për pastiçiere.
Në këtë emision, gazetarja Rudina Xhunga, tregoi edhe për një nga ëmbëlsirat më identifikuese të qytetit.
E shkrifët dhe e butë plotë sherbet, haxhimakullja është unike shkodrane. Tradita e haxhimakulles shkodrane, erdhi në emision, si marka e pastiçerisë “Flo”, ose pastiçerisë së qoshes, në Gjuhadol.
Ilda Bushati, zonja e pastiçerisë , tregoi sesi një ide që lindi në Amerikë, u kthye në një biznes në Shkodër. E veçanta e haxhimakulleve të Flo, është tradita që ka vazhduar në breza. Teze Myzi e ka trashëguar recetën nga stërgjyshja e saj, e ndërsa me shumë dashuri e përkushtim ajo ka arritur ta sjellë deri në ditët e sotme në pastiçerinë e nipit.
“E veçantë dhe unike është kur haxhimakullja bëhet nga dora e teze Myzit, – thote Ilda për Dritare TV, sepse ajo i bën me dashurinë e të gjitha viteve të jetës dhe bekimin e gjithë gjysheve, tezeve, grave shkodrane të jetës së saj. Ndaj Haxhimakullja jonë është dashni, si Shkodra.
Kjo dashni na riktheu në Shkodër. Unë dhe bashkëshorti shkuam në Amerikë dhe përfunduam atje shkollën e lartë. Unë kam mbaruar studimet për ekonomik në Hunter College. Por burri im ishte ai që kishte dëshirën të hapte një biznes në Shkodër. Pas shumë përpjekjesh, por edhe duke pasur eksperiencën tonë në Amerikë, si edhe duke parë atje pastiçeritë e populluara, ku njerëzit mbanin radhën në pastiçeritë e Bruklinit, u kthyem këtu me atë ide.
Emri “Flo” lidhet me pastiçerinë tonë të preferuar në Bruklin dhe erdhëm në Shkodër me emrin dhe eksperiencën amerikane. Pastiçieri ynë i parë ishte turk, sepse edhe atje në Bruklin pastiçeria ishte një kombinim greko-turk. Menyja e tyre ishte e pafund në pasta dhe ëmbëlsira të larmishme. Të njëjtën gjë bëmë edhe ne këtu, por krahas tyre kemi sjellë edhe ëmbëlsirat tona tradicionale, si haxhimakulle, bakllava e të tjera”,- thotë Ilda Bushati ndërsa shijon me Rudinën, haxhimakullet e teze Myzit, që trashëgoi recetën në shekuj, për t’ia dhuruar nipit, si tradita që shndërrohet në markë. (Dritare.net)