Bujar Nishani, ish-kryetar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, në një intervistë për “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, deklaroi se “lëvizja e nisur nga zoti Berisha ka mbështetje të madhe brenda PD-së dhe në opinionin publik”.
“Kemi një lëvizje për ndryshimin e thellë politik të Partisë Demokratike, në kontekstin si alternativë qeverisëse. Në këtë kontekst, PD-ja vijon të jetë humbëse e madhe në garat elektorale. Unë mendoj që lëvizja e nisur nga zoti Berisha ka mbështetje të madhe brenda PD-së dhe në opinionin publik.
E kam ndjerë që ka impakt pozitiv në tërësi në opinionin publik dhe kjo është arsyeja që në 11 dhjetor të diskutohet, të ketë një gjykim dhe disa përcaktime në lidhje me proceset e rëndësishme reformuese, duke nisur nga statuti i partisë. Më pas, të vijohet me tezat politike, filozofia dhe identiteti politik”, deklaroi Nishani.
Në lidhje me kuvendin e dytë të PD-së, Nishani tha:
“Për fat të keq jetojmë në kohën e alogjizmit politik. Nuk e shmangim dot këtë. Kështu që, përsa kohë mungon standardi i seriozitetit të zotit Basha, mund të ketë edhe artikulime të tilla, por në aspektin procedurial është i pavlerë. Demokracia është vullnet i shumicës, duke respektuar të drejtat e pakicës. Kjo është filozofia bazë e demokracisë. Shumica dërrmuese ka vendosur që të ketë një proces të ri organizimi në PD dhe në aspektin formal, Kuvendi i datës 11 ka fuqi mbi të gjitha institucionet e tjera dhe vendimet e tij rrëzojnë të gjitha vendimet e mëparshme, qofshin ato vendime të kryetarit, do të zerojnë të gjitha aktet e mëparshme.
Pas 11 dhjetorit, unë besoj se zoti Basha nuk do të jetë më në kapacitetin e kryetarit të Partisë Demokratike. Nëse në datën 11, shumica e anëtarëve të PD-së marrin vendime që statuti duhet të ndryshojë, nëse lidershipi duhet të ndryshojë dhe nëse vendimet e mëparshme zerohen nga ky kuvend, çdo qëndrim personal pas datës 11 dhjetor, nuk do të ketë fuqi apo impakt. Kuvendi i datës 18 do të jetë i pavlefshëm pastaj”.
Kur u pyet se cili është plani B nëse data 11 nuk jep rezultat, Nishani u shpreh: “Opozita pothuajse nuk ekziston dhe alternativa e vetme është rikthimi i saj. E dyta, projekti politik i zotit Basha është konfirmuar si humbës, që do të thotë se PD-ja ka nevojë për një projekt të ri”.
Në lidhje me zotëruesin e vulës së partisë, Nishani nënvizoi se “vula i takon shumicës sepse mund të dalë dikush, të bëjë një vulë në kancelari dhe të thotë që unë jam kreu i PD-së”.
“Vula përfaqëson vullnetin politik të shumicës së anëtarësisë së PD-së. Është e vështirë të debatosh me ata që thonë “unë kam vulën” sepse kjo nuk ka logjikë politike dhe seriozitet. Në procesin e ringritjes së partisë, do të krijohet mundësia për garën e vërtetë. Pritshmëritë janë që të ketë një hapësirë të madhe për të garuar në PD, jo vetëm për postin e kryetarit, por edhe për shumë poste të tjera në parti”, tha Bujar Nishani.