Nga Dritan Gremi*
Agostino Sellitri një 71-vjeçar italian nga Andria humbi jetën më 13 Dhjetor në Shqipëri, pas një ndërhyrje kirurgjikale ortodontike.
Lajmi u përhap në mediat italiane, (por jo në ato shqiptare) ndërsa mësohet se vullnetari i Kryqit të Kuq kishte pësuar një arrest kardiak pas kirurgjisë dentare.
Vdekja shkaktoi ndër të tjera edhe reagimin e shoqatave të dentistëve në Itali, të cilat me të drejtë ngrenë shqetësimin e rreziqeve që mbartin për shëndetin e pacientëve klinikat loë cost. “Premtimet për ndërhyrje dentare me kosto të ulëta mbartin rreziqe që nuk duhet të mbeten pa u thënë”, ka deklaruar presidenti i shoqatës së dentistëve Andi Bari e Bat, Fabio De Pascalis lidhur me vdekjen e 71 vjeçarit.
Natën pas vendosjes së implantit, i moshuari u godit nga një atak në zemër. “Pas korrelacioneve dhe implikimeve që mund të ketë shkaktuar ndërhyrja, e ndjej detyrën në emrin tim dhe të gjithë kolegëve të bëj thirrje për kujdes dhe vëmendje kur vendosim të ndërmarrim një udhëtim për turizëm dentar”, shton kreu rajonal i shoqatës së stomatologëve, i cili i fton “qytetarët të mos mashtrohen” sepse “kostoja e ulët” e ndërhyrjeve dhe trajtimeve “shpesh nënkupton punëime të dobëta, mosrespektim të kohës së nevojshme klinike dhe stres të tepruar fizik dhe psikologjik për pacientin”.
“Shpesh na takon ne të riparojmë dëmet e bëra diku tjetër dhe nuk është aq e thjeshtë sa mendojmë. Nga ana tjetër, trajtimi në Itali – kujton De Pascalis – ka garancitë e tij jo vetëm sepse kryhet nga profesionistë të regjistruar në Urdhrin e Stomatologut, por edhe sepse detyrimi higjieno-sanitar është i vendosur me ligj”. De Pascalis premton angazhimin e tij për të “takuar personalisht pacientë dhe për të monitoruar turizmin dentar”.
Edhe pse ndërhyrjet kirurgjikale, qofshin edhe ato dentare njihen për komplikacionet që mund të shkaktojnë pas, është mjekësia ligjore ajo që do të përcaktojë arsyet e vdekjes së 71-vjeçarit, për të cilat ende nuk është e qartë nëse janë të lidhura me kirurgjinë.
Megjithatë stomatologu italian ngre alarmin për një fenomen shqetësues prej kohësh në Shqipëri, ndërsa kronika duket si një vdekje e paralajmëruar. Në një kohë kur sinjalet për klinika që po vënë në rrezik shëndetin e pacientëve ka kohë që lëshohen, institucionet shtetërore heshtin apo mbyllin sytë.
Vdekja e pacientit italian është një këmbanë alarmi për autoritetet shqiptare, ndërsa logjikisht ngrihen pyetjet:
Sa janë të specializuara klinikat që kryejnë turizëm dentar, për ta kryer këtë shërbim? A disponojnë ato teknologjinë dhe specialistët e duhur për të kryer edhe ndërhyrje kirurgjikale specifike? A kryhen analiza paraprake të pacientëve për të parë gjendjen e tyre të përgjithshme? A monitorohen pacientët që kryejnë këto ndërhyrje nga mjekët anestezistë? A ndiqen ata edhe pas trajtimit? Ku janë sot urdhri i mjekut dhe ai i stomatologut? A kanë ata gjithë strukturat e nevojshme për të kontrolluar këto klinika dhe për të monitoruar zhvillimin e turizimit dentar me standarde? A do veprojmë sot, apo sërish do të presim: kush e ka radhën?
Koha ka kaluar dhe ne jemi vonë. Sa kontrolle ka shteti shqiptar mbi klinikat që ka liçencuar për të kryer aktivitetin e tyre në Tiranë? A zbatojnë ato protokollet e duhura shëndetësore për të garantuar cilësinë e punimeve?
Këto janë pyetje që presin jo vetëm përgjigjen, por edhe reagimin e autoriteteve, që paguhen me taksat e qyterarëve shqiptarë për t’u siguruar atyre shërbime të kontrolluara.
Dhe protokollet shëndetësore dhe higjieno sanitare janë vetëm një aspekt.
Me synimin për të tërhequr pacientët klinika të caktuara ofrojnë shërbimin e kurave dentare me çmime shpesh edhe më të lira se vetë kostot. Kalkulimet e çdo sipërmarrësi që është pjesë e këtij sektori çojnë në përfundimin se çmime të tilla janë të pamundura për një biznes që operon sipas rregullave dhe protokolleve. Por çarë ndodh? Duke anashkaluar distributorët e liçencuar për këtë qëllim, implantet dhe materialet e tjera dentare hyjnë shpesh kontrabandë. Me çanta, me autobuzë, me postë apo me çdo mënyrë tjetër që u jep atyre mundësinë të shmangin taksat, tarifat doganore dhe të ulin kostot e të rrisnin fitimet.
Për të njëjtin qëllim, përdoren materiale të një cilësie të ulët, implante të klonuara që paketohen nëpër bodrume pallatesh e më pas u vendosen në gojë pacientëve, të cilët do të duhet të vuajnë ndoshta gjithë jetën koston e një papërgjegjshmërie të tillë.
Rezultati? Pacientë të pakënaqur, punime problematike dhe jetë të vëna në rrezik. Gabime të tilla kanë jo vetëm kosto ekonomike për pacientin, por shoqërohen nga dhimbje, trauma psikologjike e shpesh pamundësi për ta kthyer gojën n gjendje normale.
Nga ana tjetër, e gjithë kjo veprimtari e padeklaruar, sjell humbje tepër të konsiderueshme në arkën e shtetit, po të kemi parasysh kapacitet e këtij sektori dhe mosdeklarimet të cilat shkojnë zinxhir,që nga hyrja në doganë e produkteve tek deklarimet e klinikave dentare.
Sërish përgjegjësia këtu bie mbi autoritetet, që lejojnë kaosin të dominojë në një sektor ndaj të cilit kanë përgjegjësi publike. Ku janë doganat dhe tatimet përballë këtij evazioni të pastër fiskal?
A janë në dijeni ato se sa janë humbjet që na shkakton ky sektor? A kemi ne statistika dhe të dhëna se sa shpenzon dhe sa arkëton turizmi dentar në Shqipëri? A kemi ne shifra për pacientët e huaj që hyjnë në Shqipëri dhe shërbimet që ata marrin? Vetë doganat dhe tatimet a kanë shifra mbi të ardhurat që gjenerohen nga biznesi i implanteve dentare apo urave të zirkonit? Të dhënat jo zyrtare thonë se në më shumë se 70% të shërbimeve dentare kryhet evazion.
E gjithë kjo hamulli i jep rrugë abuzimit e për pasojë mban prezent rrezikun e jetës për cdo pacient. Dhe për ta ndryshuar situatën, do të mjaftonin thjesht disa rregulla dhe kontrolle.
Së pari protokollet. Aplikimi i të cilave do rriste sigurinë ndaj pacientit dhe do conte ne në standardizimin e çmimeve. Nëse protokollet e trajtimit dentar do të ndiqeshin me përpikmëri, ju siguroj që asnjë klinikë nuk do të kishte mundësi të ofronte një çmim 50% më pak se një tjetër.
Së dyti, deklarimi i të ardhurave. Nëse të gjitha klinikat e futura nëpër lagje e pallate do të deklaronin çdo shërbim dhe të ardhur, ju garantoj se asnjë prej tyre nuk do të kishte mundësi të luante me çmimet, që për fat të keq nuk kanë as tavan e as dysheme.
Së treti, strukturat shtetërore duhet dhe kanë të gjithë tagrin ta shohin me prioritet këtë industri që po lind duke krijuar lehtësi apo suport në drejtim të taksave, ashu si dhe në sektorë të tjerë të turizmit.
Së katërti, është koha që këto struktura edhe të rankohen, (ashtu sikurse dhe hotelet rankohen) bazuar në cilësinë dhe shërbimet që ofrojnë.
E gjithë kjo, nuk do t’i shërbente thjesht dhe vetëm shëndetit të pacientëve, por dhe shtetit shqiptar, për të depozituar në arkën e tij çdo të ardhur të siguruar nga një konkurencë e ndershme.
E fundit dhe jo më pak e rëndësishme, do t’i kursenim vetes artikuj që si ai më sipër, varrosnim pak nga pak imazhin e turizmit dentar, i ngritur përgjatë gjithë këtyre viteve falë punës serioze të atyre klinikave që shëndetin e pacientëve e kanë prioritet.
Të dhënat flasin për një sektor që ka gjithë kapacitetet për të gjeneruar më shumë se 10% të të ardhurave të gjithë turizmit në vend e që brenda 5 vitesh mundet t’i sigurojë arkës së shtetit më shumë 100 milionë euro të arudhura vjetore.
Po flasim për një sektor të cilin shteti nuk e ndihmoi të lindë e as të rritet, por me heshtjen dhe indiferencën e tij po kontribuon ta vrasë, me një kosto shumë të lartë: Jetën e njerëzve.
Do të mjaftonin pak raste të ngjashëm me atë të të ndjerit Agostino Sellitri dhe pak artikuj të tjerë si ai më sipër, që Shqipëria në sytë e italianëve të kthehej sërish në vendin e mashtrueseve dhe kriminelëve, ku nuk duhet të shkelësh për turizëm e aq më pak për shërbime shëndetësore. Unë uroj dhe shpresoj që kjo të mos ndodhë, sepse atëherë miqtë tanë përtej detit nuk do të kenë asnjë faj faj. Faji është yni që nuk vendosëm rregulla për miqtë në shtëpinë tonë.
Themelues dhe President i ‘Viaggiare e Sorridere’