Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shprehur shqetësimin se vendet e pasura do të rifillojnë të grumbullojnë stoqe vaksinash kundër Covid si pjesë e reagimeve nga përhapja e variantit Omicron.
OBSH tha se kjo mund të kërcënojë furnizimet për vendet e varfëra dhe ato në zhvillim, ku shumica e njerëzve janë ende të pavaksinuar.
Disa vende të pasura po përshpejtojnë proceset e dhënies së dozave përforcuese në përgjigje të Omicron.
Ka shqetësime se vaksinat janë më pak efektive ndaj variantit të ri.
Studimet e fundit të vaksinës Pfizer / BioNTech treguan se ajo prodhoi shumë më pak antitrupa neutralizues kundër Omicron, sesa kundër llojit origjinal, por se ky deficit mund të ndryshohet nga përforcuesi.
Megjithatë, OBSH thotë se administrimi i dozave primare duhet të jetë prioriteti.
Drejtoresha e vaksinave të OBSH-së, Kate O’Brien u bëri thirrje vendeve më të pasura që të vazhdojnë të dhurojnë doza dhe dërgesa vaksinash në vendet e varfëra për të trajtuar atë që është bërë një pabarazi e rrezikshme në akses.
“Ndërsa ne shkojmë në çfarëdo që do të jetë situata e Omicron, ekziston rreziku që furnizimi global të kthehet përsëri në vendet me të ardhura të larta që grumbullojnë vaksina nëpër magazina” tha ajo