Kryeministri britanik Boris Johnson tha se Britania do t’i bashkohet Shteteve të Bashkuara dhe Australisë në bojkotin diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit në shkurt.
Kryeministri Johnson e bëri njoftimin të mërkurën, në përgjigje të pyetjeve nga ligjvënësit. “Do të ketë efektivisht një bojkot diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore në Pekin, nuk pritet të marrin pjesë asnjë ministër apo zyrtar,” tha kryeministri në parlament. Ai shtoi se atletët do të vazhdojnë të marrin pjesë pasi ai nuk besonte se “bojkotet sportive janë të arsyeshme”.
Britania i bashkohet Shteteve të Bashkuara, Zelandës së Re, Lituanisë dhe Australisë në vendimin për të mos dërguar diplomatë dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë në lojërat e Pekinit.
Kryeministri australian Scott Morrison njoftoi një bojkot të ngjashëm të mërkurën në Canberra, duke përmendur një sërë çështjesh që përfshijnë akuzat për abuzime të të drejtave të njeriut nga Kina dhe refuzimin e Pekinit për të zhvilluar bisedime dypalëshe për të zgjidhur mosmarrëveshjet e vazhdueshme tregtare dhe diplomatike.
Në Pekin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin e nënvlerësoi njoftimin e kryeministrit Morrison, duke u thënë gazetarëve “askujt nuk i intereson” nëse zyrtarët australianë marrin pjesë apo jo në Lojërat Olimpike.
Administrata e Presidentit Joe Biden njoftoi të hënën se do të ndërmerrte një bojkot diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit, të cilat do të zhvillohen nga 4 deri më 20 shkurt.
Presidenti Biden tha muajin e kaluar se po shqyrtonte mundësinë e një bojkoti diplomatik për shkak të kritikave për shkelje të të drejtave të njeriut nga Kina, që përfshijnë arrestimin e ujgurëve myslimanë në provincën Xinjiang dhe goditjen e forcave pro-demokratike në Hong Kong.
Pekini është zotuar të kundërpërgjigjet ndaj bojkotit të Uashingtonit.