Ministrja e Arsimit dhe Sportit Znj. Evis Kushi, së bashku me Zëvendëskryeministrin Z. Arben Ahmetaj, Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Z. Erion Veliaj, Ambasadorin e Katarit në Shqipëri, Sh.T.Z Ali Bin Hamad Ali- Marri, Drejtorin e Përgjithshëm të Fondit të Katarit për Zhvillim, Sh.T.Z. Khalifa bin Jassem Al-Kuwari dhe deputetin e zonës, Z. Toni Gogu kanë përuruar sot shkollën e Katarit “16 shtatori” në Pezë të Madhe.
Gjatë fjalës së saj Ministrja Kushi tha se një shkollë si kjo me standarde ndërkombëtare, më e madhe, më e fortë, më e bukur, jo vetëm ndihmon për një proces mësimor më efikas, por ndihmon për të zhvilluar një tjetër qëndrim më të mirë për sa i përket kujdesit ndaj pronës së përbashkët publike tek nxënësit, për një sjellje më të mirë ndaj njëri-tjetrit.
“Ky është edhe misioni ynë, që fëmijëve tu japim jo vetëm njohuri në fusha të caktuara, t’i bëjmë profesionistë në fusha të caktuara, por t’i bëjmë edhe qytetarë të denjë që e duan pronën e përbashkët, qytetarë që japin kontribut për komunitetin”- thekson Znj. Kushi.
Znj. Kushi ka falënderuar kontribuuesin kryesor, Fondin e Katarit për Zhvillim për mbështetjen në rindërtimin e disa shkollave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.