Konsiderohet me të drejtë e ardhmja e sulmit të kombëtares shqiptare. Jo më kot nënshkroi kontratë 5-vjeçare me të Chelsea, sepse vlerat i ka të mëdha, edhe pse ende vetëm 20 vjeç.
Pas golave në Holandë, i huazuar te Vitesse edicionin e kaluar, Armando Broja po e bën këtë edhe aktualisht, në Premier League. Për momentin, 5 janë golat e tij në këtë sezon, si pjesë e “Shenjtorëve”, që i japin statusin e golashënuesit më të mirë në ekipin ku është huazuar për një vit. Duke vlerësuar eksperiencën e tij te Southampton deri tani, Broja tha për “Daily Echo”:
“Po e shijoj vërtet. Është padyshim sezoni im i parë në Premier League. Unë jam një lojtar i ri dhe është e mahnitshme që kam mundësi për të qenë në Premier League dhe për të fituar përvojë. Këtu do të bëhem një lojtar më i mirë. Është një ëndërr e realizuar.
Unë thjesht po përpiqem të përmirësohem çdo ditë dhe të mësoj. Sigurisht që ka gjithmonë konkurrencë. Është Premier League, është liga më e vështirë, gjithmonë do të ketë konkurrencë në ekip.
Unë thjesht do të mbaj kokën ulur dhe do të përpiqem të ndihmoj ekipin sa më shumë që të jetë e mundur. U lumturova që shënova të shtunën, por gjëja kryesore është skuadra. Ishte e turpshme pse nuk arritëm të merrnim tri pikët”.
Duke reflektuar mbi barazimin ndaj Brighton, Broja, i cili tashmë ishte zëvendësuar nga Armstrong, kur Maupay gjeti golin e ekuilibrit, tha:
“Sigurisht që është zhgënjyese. Është një goditje e madhe të pësosh një gol të tillë. Padyshim që nuk është gjëja më e mirë për ne, por mendoj se performanca e përgjithshme ishte vërtet e mirë. Mendoj se e kontrolluam lojën, e dominuam ndeshjen, është për të ardhur keq të pësosh gol në fund.
Nuk është ajo që dëshironim. Ne vetëm duhet të vazhdojmë të ecim përpara, të përmirësohemi dhe të punojmë shumë. Është Premier League, gjithçka mund të ndodhë, është liga më e mirë në botë. Një shans pati kundërshtarin dhe shënoi një gol. Nuk ishte rezultati ideal për ne. Sidoqoftë, thjesht do të vazhdojmë të ecim përpara, do të sfidojmë Arsenalin ndeshjen e ardhshme.”