Anëtarja e Komisionit të Medias Ina Zhupa, propozoi në mbledhjen e sotme ndalimin e filmave dhe dokumentarëve që glorifikojmë diktaturën komuniste. Kreshnik Spahiu ka reaguar lidhur me këtë propozim.
Postimi i Kreshnik Spahiut:
Partia Demokratike kërkoi sot, ndalimin e filmave para viteve 90:
– Pasi shkatrruan godinën 70 vjeçare,
– Pasi nuk prodhuan asnjë film 30 vite,
– Pasi zaptuan 100.000 metra2 hapësirë publike, tani duan të fshijnë historinë dhe memorjen artistike!
Kinostudio “Shqipëria e Re” u themelua më 10 korrik të vitit 1952. Realizimi i parë i saj është filmi “Skënderbeu”. Ky është i pari realizim “kolosal” i prodhuar nga kjo studio kinematografike. Në vitin 1957 prodhohet filmi i parë i një regjisori shqiptar, Hysen Hakani. Prodhimet në masë fillojnë rreth viteve ’70, periudhë që korrespondon uljes së numrit të filmave të importuar.
Në vitet ’80 Kinostudio “Shqipëria e Re” prodhon rreth 14-15 filma në vit, tematikat janë nga më të ndryshmet. Shqipëria e Re” la në trashëgim rreth 200 filma, një pjesë të cilëve ishin prodhim i propagandës shtetërore, filma të realizuar me mungesa jo të vogla teknike. Me gjithë kornizat ideologjike dhe vetëcensurën, trashëgimia e Kinostudios “Shqipëria e Re” kanë qenë dhe është pjesë e jetës kulturore e shumë brezave shqiptarësh. Pse duhet fshirë filmi, “Çifti lumtur” apo “14 vjeç dhëndër”? Këtë vetëm “Gjino” i demokratëve e kupton”-shprehet Spahiu.