Gazment Bardhi skanon situatën nga konfirmimi masiv për Kuvendin e 18 Dhjetorit tek vendimi i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet dhe nismat e Foltores: Mitingu i datës 11 nuk prodhon dot vendime kundër institucioneve legjitime të PD.

Në një intervistë dhënë për Top Channel, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi thotë se Kuvendi i 18 dhjetorit ka marrë një konfirmim masiv nga delegatët dhe baza e partisë, ndërsa e quan miting Kuvendin e thirrur nga Berisha më 11 dhjetor.

Bardhi thotë se çdo vendim i Kuvendit të thirrur nga Berisha është nul dhe pa efekte ligjore, që nuk shqetësojnë institucionet legjitime të PD.

“Në 11 dhjetor në kullën e stadiumit Air Albania në Pallatin e Kongreseve apo në çdo vend tjetër, çdo person, qoftë ky edhe një edhe një deputet i Kuvendit të Shqipërisë ka të drejtën e tij për të thirrur një miting, por Kuvendi Kombëtar i PD-së mblidhet në datën 18 dhjetor ora 11.00 në Pallatin e Kongreseve. Ai është Kuvendi Kombëtar i PD-së, Kuvendi i demokratëve, ku çdo demokrat që e do PD-në, do që ta shikojë fituese PD-në, i do të mirën dhe mbron interesin e PD-së, do të marrë pjesë në Kuvendin e saj kombëtar të datës 18. Nuk besoj se mitingu i datës 11 do të mund të prodhojë ndonjë vendimmarrje apo çështje që do të duhet të kenë shqetësim institucionet legjitime të PD-së, aq më tepër që në datën 18 mblidhet Kuvendi dhe do të marrë të gjitha vendimet ndaj cilitdo që me veprimet apo mosveprimet e tij, me aktet apo aksionin e ndërmarrë, ka vendosur të dëmtojë interesin politik dhe elektoral të PD-së”, tha Bardhi.

Ai u pyet mbi deklaratat për një shkarkim të mundshëm të Lulzim Bashës, që i quajti “libra”.

“Cilido është i lirë të shkruajë libra, të mbajë shënimet e tij, por këto shënime apo këto libra, nuk përbëjnë Kushtetutën e PD-së. Kushtetuta e PD-së miratohet dhe ndryshohet sipas një procedure të caktuar nga Kuvendi Kombëtar i PD-së që mblidhet më 18 dhjetor”, tha Bardhi.

Pyetjes sa delegatë kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Kuvendin e 18 dhjetorit, Sekretari i Përgjithshëm i PD iu përgjigj: “Dua t’ju siguroj që sipas informacioneve të përcjella nga secila degë e Partisë Demokratike, numri i anëtarëve pjesëmarrës në Kuvendin Kombëtar të datës 18 do të jetë më shumë se pjesëmarrja në Kuvendin e fundit të Kuvendit Kombëtar të PD-së, atë të datës 17 Korrik”, vijoi ai.

Numri 2 i Partisë Demokratike nuk iu përgjigj drejtpërdrejtë pyetjes nëse ka negociata mes Bashës e Berishës, por foli për interesa të ndryshme.

“Në këtë moment mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës ka interesa të ndryshme. Interesi i Lulzim Bashës është mbrojtja e interesit të Partisë Demokratike, mbrojtja e interesit të demokratëve, ndërkohë që nga ana tjetër, interesi i vetëm i Sali Berishës është mbrojtja e interesit të tij personal dhe përdorimi i partisë për një problem apo hall të tij personal. Në këtë mënyrë nuk mund të përputhen dy këto interesa, sepse interesi i demokratëve dhe i Partisë Demokratike do të duhet të prevalojë mbi çdo interes personal, qoftë ky edhe interesi personal i Sali Berishës”, u shpreh ai.