Covid 19 po kthehet sërish në një makth në Premier League, teksa tashmë ka frikë se mund të ketë një tjetër mbyllje për stadiumet, çka do i kushtonte një tjetër dëm marramendës klubeve të futbollit në Britani.

Vendimi për të mos lejuar tifozë të pavaksinuar në shkallët e stadiumit mund të mos mjaftojë, pasi situata duket tepër e rrezikshme, çka mund t’i detyrojë autoritet të mbyllë sërish dyert e stadiumit në javët e ardhshme.

Tek Tottenham u raportuan për 7 persona të prekur nga Covid dhe nuk përjashtohet mundësia që skuadra londineze të kërkojë shtyrjen e sfidës në fundjavë, por rregullorja e thotë qartë se një ndeshje në Premier League mund të shtyhet vetëm nëse një skuadër ka më pak se 14 lojtarë në dispozicion ose asnjë nga portierët e regjistruar. Por, pavarësisht kësaj, Premier League do të marrë në konsideratë çdo apel që lidhet me Covid, diçka që e ka bërë dhe sezonin e shkuar, ku kishte raste të ndeshjeve që u shtynë për shkak të infektimeve në skuadra të ndryshme.

Po ashtu dhe ylli i Chelseat, Mateo Kovacic dhe sulmuesi i Brentfordit, Ivan Toney kanë rezultuar pozitiv në testet e kryera për Covid, por pa shqetësime serioze. Në mbledhjen e së premtes, klubet janë paralajmëruar se duhet të përgatiten për një tjetër rast emergjence, ç’ka nënkupton shtrëngimin e masave.

Gjithçka do të përcaktohet në varësi të përhapjes së Covid, që është kthyer në shqetësim dhe në Gjermani dhe Holandë ku disa prej ndeshjeve janë zhvilluar me dyer të mbyllura.