Moment shumë i vështirë për Manchester United, që vjen nga një barazim kundër Newcastle dhe është për momentin vetëm në vendin e shtatë në renditje, 7 pikë larg vendit të katërt që mbahet nga Arsenal-i. Mes lojtarëve më të kritikuar për formën jo shumë të mirë është natyrisht Cristiano Ronaldo, i kthyer këtë verë në Manchester. Ai që ka sulmuar kampionin portugez ka qenë ish-lojtari i Aston Villa-s, Gabriel Agbonlahor, i cili ka thënë për Football Insider:
“Nuk është një lojtar skuadre, është i përqendruar tek objektivat e tij. Kundër Newcastle ishte i tendosur në fushë, ngrinte dorën sa herë që nuk arrinte ta merrte topin. Më pas, në fund të ndeshjes, ka dalë i nxirë në fytyrë dhe supozoj se ka qenë ashtu edhe në dhomat e zhveshjes”. Agbonlahor ka bërë një sulm tjetër të ashpër në lidhje me marrëdhënien mes Ronaldo-s dhe ekipit.
Ish-lojtari i Aston Villa-s ka thënë se të rinjtë e Djajve të Kuq, si Rashford, Greenwood ose Jadon Sancho, kanë frikë të gjuajnë në portë për shkak të ankesave të portugezit, që kërkon gjithmonë topin. “Nuk ka harmoni në dhomat e zhveshjes. Rashford dhe Greenwood kanë rënë kur ka ardhur Ronaldo. Nuk janë të lirë të shprehen, është sikur mendojnë vazhdimisht ‘Duhet t’ia pasoj Ronaldo-s, duhet t’i krijoj një rast’”.