Guvernatori i Kentakit, Andy Beshear, tha se rreth 50 persona kanë humbur jetën vetëm në shtetin e tij, duke e çuar numrin e vdekjeve në zonat e shkatërruara në 64.
Autoritetet amerikane kanë folur për dëme të jashtëzakonshme në shumë shtete, pas “shpërthimit” të disa tornadove vdekjeprurëse që rrënuan komunitetet dhe rrafshuan qytetet.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden deklaroi se kjo është një fatkeqësi natyrore e përmasave madhore. Pas kësaj deklarate u dha një ndihmë e pakufizuar federale në të paktën 8 qytete të Kentakit.
Të mbijetuarit e e fabrikës së qirinjve
Shumica e atyre që humbën tragjikisht jetën janë punëtorët e një fabrike qirinjsh. Tetë janë konfirmuar të vdekur. Fillimisht u raportua për 110 të zhdukur, por gjatë orëve të vona të së premtes (12.12), 90 prej tyre u gjetën shëndoshë e mirë.
“Shumë prej tyre ishin grupuar në një strehë që i ka mbrojtur prej tornados dhe sapo gjithçka ka përfunduar, ata kanë dalë prej andej dhe kanë mbërritur në shtëpi” – tha Bob Ferguson nga “Mayfield Consumer Products”. Ai shtoi se mungesa e energjisë elektrike dhe e rrjetit e bëri të vështirë kontaktin fillestar me ta.
Ndihmat federale lehtësojnë pasojat e shkatërrimit të natyrës
Shtëpia e Bardhë e miratoi kërkesën e Beshear për ta konsideruar tragjedinë në përmasat e një katastrofe federale, çka do të thotë se fondet do të kalojnë shumën e 5 milionë dollarëve, që u deklarua në çastet e para pas emergjencës.
Sipas Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (FEMA), kjo nënkupton “një gamë të gjerë ndihme në nivel federal, për individë dhe infrastrukturën publike”.
Situata e jashtëzakonshme përfshin gjithashtu “fonde për ndihmat e emergjencës dhe riparimin e dëmeve të përhershme”, duke garantuar kështu qytetarët për rindërtimin e shtëpive të tyre pas dëmeve që shkaktoi kjo katastrofë natyrore.
Qytete si Mayfield vuajtën pasojat më të mëdha të shkatërrimit, me popullsinë prej 10,000 banorësh që vraponte për t’u mbrojtur pas marrjes së sinjalizimeve në telefonat celularë rreth 20 minuta para se tornado të godiste zonën e tyre. Beshear tha se fuqia e goditjes këtë herë ishte shumë më e lartë se herët e tjera, pasi ka shkërmoqur tullat dhe strukturat prej çeliku.
Vijojnë kërkimet për të tjera viktima
Gazetari Travis Ragsdale i tha DW gjatë së dielës se “qytet pas qyteti, është shndërruar gjithçka në rrënoja për 300 kilometër me radhë”. “Janë gjashtë letra të printuara plot me emra personash për të cilët vijon kërkimi, edhe pse kanë kaluar disa orë nga stuhia” – tha Ragsdale.
Mes viktimave ishte dhe një djalë 3-vjeçar, I cili humbi tragjikisht jetën kur shtëpia e tij në qytetin e Mayfield u shkatërrua tërësisht.
Drejtuesi i FEMA, Deanne Criswall, tha se nuk i kanë humbur shpresat për gjetjen e të mbijetuarve. Agjencia e drejtuar prej tij ofroi ushqim për 30.0000 persona dhe 45.000 litra ujë. Edhe Para Françesku u lut për viktimat e Kentakit. /DW